Fushata zgjedhore, momenti i matjes

Ndonëse të shtunën fillojë edhe zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë politike janë mobilizuar shumë më herët duke zhvilluar aktivitete nëpër komuna të ndryshme. Analistët politikë vlerësojnë se kjo parafushatë zgjedhore ka qenë e lodhshme për të gjitha palët. Ata kërkojnë nga subjektet politike që t’u drejtohen qytetarëve përmes mediave kredibile siç janë televizionet.
Nga 11 janari e deri më 9 shkurt në 7-të të mëngjesit, kur vendi hynë në heshtjen zgjedhore, e qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit, Kosova zyrtarisht është në fushatë zgjedhore.
Por ka disa muaj që në mënyrë jo zyrtare, partitë politike veçse kanë nisur tubimet e tyre, shpalosën programet, e dhanë premtimet, betejë kjo për të zënë karriget në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Gjithë këto, subjektet politike i shpalosën në forma të ndryshme. Disa zgjodhën studiot televizive për t’iu drejtuar qytetarëve, disa shkuan t’i takojnë ata, e të tjerë, premtime dhanë kryesisht përmes rrjeteve sociale. Politologu Albinot Maloku, vlerëson se subjektet politike duhet t’i drejtojnë premtimet e tyre tek qytetarët përmes mediave kredibile, e që janë televizionet.
“Momenti kur po fillon fushata zgjedhore e që do të jetë një muaj është një situatë tjetër sepse kemi të bëjmë me shqyrtimin e programit. Deri në nisjen e fushatës ka qenë tentimi për të promovuar personalitet, mirëpo tani jemi në fazën e konkretizimit të ofertës dhe të asaj cfarë subjektet politike shohin ndryshe. Televizionet japin seriozitetin, unë mendoj se subjektet politike duhet të fokusohen tek ajo që është serioze, pra televizionet sesa tek rrjetet sociale, pasi këto nuk janë serioze…ka qenë e lodhshme për të gjitha palët. Cdo premtim është nonsens nëse nuk futet në realizime. Konsideroj që do duhej që edhe subjektet politike të qëndrojnë tek ajo që është e qytetarit. Parafushata ka qenë tentim për promovim por tani është momenti i matjes”, tha Maloku për rtv21.
Analistja politike, Magbule Shkodra, vlerëson se tash e sa muaj partitë politike përmes parafushatës i dhanë mundësinë qytetarëve për të parë vizionin që ata planifikojnë për Kosovën. Sipas, Shkodrës, në këtë parafushatë partitë opozitare kanë qenë më aktive sesa partia në pushtet.
“Ka një kohë që kemi parë takime të ndryshme të partive. Partitë opozitare kanë qenë shumë aktive por LVV-ja nuk ka qenë shumë aktive. Sa më shumë që I japim qytetarëve info për vizionin, për planet për Kosovën, kjo ndikon pozitivisht. Fushata parazgjedhore ka pasur efekt pozitiv sepse kemi pasur mundësi të shohim planet e programet. Ky efekt do të shihet në votë. Por të shohim tashmë në fushatë zgjedhore se cfarë kanë për të ofruar për qytetarët”, ka thënë Shkodra.
E gjatë muajit vijues deri në ditën e zgjedhjeve të 9 shkurtit partitë politike do të kenë mundësinë të shpalosin programet e tyre zgjedhore ndërsa votuesit i mbetet të përcaktohet për ofertën me të mirë./RTV21/21Media