Aksidenti me tri viktima në Skënderaj, IPK suspendon policin që po drejtonte automjetin

Tre persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti që ndodhi mbrëmë në fshatin Çubrel të Skenderajt. Ndërsa po ashtu nga ky aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe pesë persona të tjerë, katër prej të cilëve janë zyrtarë policorë.
Pas këtij rasti ka reaguar Inspektoriati Policor i Kosovës përmes një komunikate në Facebook.
Sipas IKP-së aksidenti raportohet se ka ndodhur si pasojë e mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili sipas këtij dikasteri ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.
IPK nga ky aksident ka rekomanduar të suspendoj zyrtarin policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit.
Ndërkaq në lidhje me aksidentin, IPK është duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent.
“Hetuesit e IPK-së mbrëmë rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i policisë dhe një veturë civile. Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile. Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në komunikatën e IPK-së. /21Media