Macron uron Pavarësinë e Kosovës: Ju mbështesim në prespektivën evropiane
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e presidentit Macron, të cilin e ka publikuar Presidenca e Kosovës.
Mëtej në letrën e urimit, Macron ka folur edhe për dialogun dhe marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në këtë drejtim normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një përfaqësuesi të ri special të BE-së duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet tutje në letrën e Macronit.
Në këtë urim, Macron ka falënderuar Osmanin për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.
“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, presidenti francez. /21Media
Presidenti i Gjermanisë uron për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Mbreti Charles uron Osmanin dhe popullin e Kosovës për 17 vjetorin e Pavarësisë
Trump uron Pavarësinë e Kosovës: Lidhjet tona janë të forta, presim t’i zgjerojmë