Gjeti një kuletë me para në Brezovicë, 15-vjeçari e dorëzon në polici

Një 15-vjeçar ka dorëzuar një portofol në polici pasi e kishte gjetur atë në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.
Në komunikatën e Policisë bëhet e ditur se në të kishte edhe para, dhe se portofoli tashmë i është dorëzuar pronarit.
“Më 22 shkurt 2025, rreth orës 11:30 një qytetar, O.O, 15 vjeç, ka gjetur një portofol në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, brenda të cilit ndodhej një shumë e caktuar parash. Ai menjëherë e ka dorëzuar portofolin tek zyrtarët policorë. Sot, më 24 shkurt 2025, në stacionin e policisë është paraqitur pronari i portofolit për ta marrë atë. Pas kryerjes së procedurave të verifikimit, portofoli iu kthye pronarit. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shpreh mirënjohje për qytetarin, O. O, duke e vlerësuar këtë gjest si një akt human dhe shembullor, që pasqyron standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare”, thuhet në komunikatë. /21Media