Numërohen edhe disa vota me postë, KQZ-ja del me njoftim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit nga komuna të ndryshme të votave me postë.
Sipas të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje prin e para me votat me postë me 52.72 për qind të votave apo 21.234 vota.
E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.003 vota apo 29.80 për qind, gjersa e treta është Partia Demokratike e Kosovës me 3.213 vota apo 7.98 për qind.
Bëhet e ditur se aktualisht po numërohen fletëvotimet nga Vushtrria, Juniku, Ferizaj, Prizreni, Shtimja e Suhareka. Këto fletëvotime janë numëruar deri në orën 16:00.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës. Deri të hënën, më 3 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme. Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”, thuhet në njoftim.