PDK-ja në Gjilan: Aktivistët e Vetëvendosjes ia ndërruan cilindrin zyrës së drejtoreshës së buxhetit

Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka akuzuar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje për ndërhyrje pa autorizim në zyrën e drejtoreshës së buxhetit dhe financave.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka pretenduar se persona të afërt me VV-në kanë ndërruar cilindrin e derës apo kanë kopjuar çelësin e zyrës së drejtoreshës, duke pasur qasje në hapësirën e saj pa leje, në kohën kur ajo nuk ishte e pranishme, shkruan Reporteri.net.

Sipas tij, drejtoresha ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për këtë çështje.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndrruar cilindrin zyrës së saj apo kanë bërë kopjimin e qelsit, duke ndërhyrë dhe patur qasje pa leje në zyren e saj, kur ajo nuk ka qenë prezent në punë. E për këtë rast drejtoresha e buxhetit dhe financave ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë është duke e bërë punën e vet të hetimeve”, ka thënë ndër të tjera Rashiti.

I pari i PDK’së në Gjilan tha se kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka heshtur “sepse qëndron prapa një skenari dhe qëllimi për ta zavendësuar këtë drejtoreshë me shefene grupit të asambleistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit“.

“Në anën tjetër edhe pse ka kaluar afati ligjor, raporti financiar për vitin 2024 ende nuk i është dërguar Kuvendit Komunal që duhet ta shqyrtojë në seancën e marsit. Dyshohet sa janë bërë shumë veprime të dyshimta për mënyrën e shpenzimit të miliona eurove të buxhetit në vitin e kaluar dhe drejtoresha nuk është plotësisht e informuar, sepse është anashkaluar nga kundërshtarët e saj që po luftojnë për t’a larguar nga pozita që e mbanë ajo”.

“Çdo ditë e më shumë po demaskohet qeverisja e korruptuar e Alban Hysenit e cila e ka humbur kontrollën. Muajt në vijim do të ketë edhe skandale tjera të pabesueshme që do të dalin sheshit. E fundi i këtij pushteti do të jetë i turpshëm dhe tejet i dëmshëm për komunën tonë”, përfundon shkrimi i tij.

Show More
Back to top button