Sheshi përballë Bibliotekës Kombëtare do ta ketë emrin “Erhard Busek”

Me 34 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër, Kuvendi Komunal i Prishtinës sot vendosi që sheshi i ri përballë Bibliotekës Kombëtare ta mbajë emrin “Erhard Busek”.
Kryetari Rama e quajti moment historik.
“Është kënaqësi e veçantë me qenë këtu. Do ta quaja këtë moment historik sepse nuk jemi të emërtojmë thjeshtë një shesh, por të përforcojmë lidhje shpirtërore mes dy kombeve. Erhard Busek nuk ishte thjesht politikan, por vizionar, e pa Kosovën si shpresë. E pa Ballkanin jo si të përçarë, por si mision të tij. Ai punoi për të sjellë paqe në rajon”, ka thënë Rama.
Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve së partisë më të madhe opozitare në kryeqytet, Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se shkaku i miqësisë Austri – Kosovë nuk po merret me shkeljet procedurale që janë bërë për emërtimin e këtij sheshi.
Në seancën morën pjesë edhe përfaqësues të ambasadës së Austrisë.