Policia me fushatë vetëdijësuese kundër zjarreve

Derisa vetëm dy muajt e fundit në rajonin e Gjilanit janë evidentuar mbi njëzet raste zjarresh fushore që kanë shkaktuar dëme të mëdha në mjedis dhe kanë rrezikuar jetën e qytetarëve, Policia e Kosovës ka nisur një fushatë vetëdijësuese kundër zjarreve.

Policia ka rikujtuar se ndaj kryerësve të këtyre rasteve do të ndërmerren masa ligjore.

“Duke parë këtë Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan në përpjekje për të ruajtur sigurinë publike, pronat dhe për të mbrojtur mjedisin nga rreziqet e mundshme nga zjarret, ju kujtojmë të gjithë qytetarëve rëndësinë e shmangies së ndezjes së zjarreve në zona të hapura, pyje dhe ambiente të tjera të ndjeshme. Po ashtu ju kujtojmë se ndaj kryerësve të këtyre rasteve do të ndërmerren masa ligjore në bazë të ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës”, thotë policia e këtij rajoni.

Tutje polocia ka bërë të ditura edhe rreziqet që mund të shkaktojë ndezja e zjarrit në vendet e papërshtatshme.

“Mund të shkaktojë dëme të mëdha, të përhapë flakët në mënyrë të pakontrolluar dhe të rrezikojë jetën dhe pronën e qytetarëve. Për të parandaluar këto rreziqe, ju lutemi: Mos ndizni zjarr në pyje dhe zona të hapura, shmangni ndezjen e zjarrit pranë ndërtesave, automjeteve dhe materialeve të ndezshme, sigurohuni që të gjitha zjarret e ndezura për qëllime të kontrolluara të jenë të shuara plotësisht para se të largoheni”, porositi policia.

Back to top button