Maqedonci i përgjigjet reagimeve në Serbi: Marrëveshja – mesazh për ata që kërcënojnë

Kosova, Kroacia dhe Shqipëria të mërkurën nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. E kjo ngjalli reagime të ashpra në Serbi ku u tha se ky bashkëpunim paraqet rrezik për serbët e Kosovës.
Krejt këto reagime ishin të pritshme për Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai në një intervistë për RTV21 tha se një marrëveshje e tillë e lëndon qasjen hegjemoniste të Serbisë. Shtoi se marrëveshja nuk paraqet kërcënim për askënd.
“Për ne në Kosovë veçanërisht ka qenë e pritshme që Serbia do të reagojë siç ka reaguar gjithmonë kur kanë qenë në pyetje marrëveshjet apo bashkëpunimi regjional dhe kjo për faktin që lëndon në një farë forme qasjen hegjemoniste të Serbisë dhe tentativën për ta dominuar Ballkanin në tërësi dhe pra ka qenë e pritshme e unë vlerësoj që ajo që e kam thënë edhe në konferencën për media që Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kroacisë përmes kësaj marrëveshje në fushën e mbrojtjes në asnjë mënyrë dhe asnjë rast nuk kanë synuar që ta kërcënojnë askënd e në këtë rast as Serbinë e asnjë vend tjetër. “, tha Maqedonci, përcjell portali rtv21.tv
Sipas tij bashkëpunimi mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë është për të iu dërguar mesazh atyre që tentojnë t’i kërcënojnë këto tri vende.
“Por, gjithashtu theksoj edhe njëherë që ky bashkëpunim është mesazh për gjithë ata që synojnë të kërcënojnë vendet tona, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor se ne jemi të bashkuar në mbrojtje të vlerave të përbashkëta dhe të interesave të përbashkëta të tri vendeve. Dhe para së gjithash ky bashkëpunim që po ndërtojmë ndërmjet këtyre tri vendeve nënkupton edhe stabilitet edhe paqe afatgjate për Ballkanin duke qenë se ne po balancojmë forcat në Ballkan duke ndërtuar bashkëpunime të vendeve që ndajnë të njëjtat vlera.”, u shpreh Maqedonci.
Kur u pyet se a kanë ngjashmëri kjo aleancë me atë të NATO-së, ministri Maqedonci e mohoi një gjë të tillë.
“Ne nuk kemi diskutuar në këto takime për ndonjë organizim të veçantë që i përngjante NATO-s, normalisht çdo marrëveshje çdo deklaratë e përbashkët është një lloj aleance , aleancë për mbrojtje pra aleancë ushtarake mirëpo nuk është e formatit të tillë siç është proklamuar është NATO.., por patjetër që vet bashkëpunimi është aleancë, dhe ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë më Kroacinë e me Shqipërinë moti”, tha ai./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?