Limaj: 27 Vjetori i Epopesë së Dukagjinit, rrugëtimi që dërgoi Kosovën në liri

Fatmir Limaj ka kujtuar me krenari 27 vjetorin e betejës së Gllogjanit, e njohur si Epopeja e Dukagjinit, një moment kyç që dërgoi Kosovën drejt lirisë.

Ai ka theksuar se “pa 24 marsin e vitit 1998, nuk do të ndodhte as 24 marsi i vitit 1999,” dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe.

Limaj ka shprehur mirënjohjen për miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në dhe shtetet evropiane, për mbështetje në luftën çlirimtare të UÇK-së, duke nderuar gjithashtu dëshmorët dhe martirët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Sot, me krenari kujtojmë e shënojmë 27 vjetorin e betejës së shpresës, betejës së UÇK-së në Gllogjan, e njohur si Epopeja e Dukagjinit, e cila çoi Kosovën drejtë lirisë. Pa 24 marsin e vitit 1998, nuk do të ndodhte as 24 marsi i vitit 1999, një nga datat më të rëndësishme në historinë tonë, dita e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe. 24 marsi i vitit 1998 është veç fillimi i zgjerimit të madh për të çuar deri në fund amanetin e komandantit legjendar Adem Jashari. Ne, në çdo moment u jemi mirënjohës miqve tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA dhe të gjitha shteteve evropiane që mundësuan ndërhyrjen e NATO-s, në mbështetje të popullit tonë dhe luftës çlirimtare të UÇK-së. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve që dhanë jetën për Kosovën e lirë”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Back to top button