​Kurti viziton për ngushëllime familjen e rreshterit të vrarë Muhamed Lika

Kryeministri në detyrë Albin Kurti vizitoi sot për ngushëllime familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika, i vrarë nën rrethana ende të pasqaruara më 1 prill.

Kurti me këtë rast vlerësoi lart figurën e rreshterit Lika, për kontributin e tij për rendin e ligjin, paqen e sigurinë e qytetarëve dhe shtetit, por edhe kontributin e dhënë në çlirimin e vendit si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Rreshteri Muhamed Lika ka punuar e kontribuar shumë për rendin e ligjin, paqen e sigurinë e qytetarëve dhe shtetit tonë. E para kësaj, është angazhuar e ka kontribuar si luftëtar i UÇK-së për çlirimin e popullit dhe vendit tonë. Vrasja e tij do të ndriçohet e kriminelët tinëzarë do të gjykohen e dënohen. Emri i tij do të rrojë e kujtimi për të nuk do të shlyhet”, ka shkruar Kurti në librin e ngushëllimeve.

Rreshteri policor, Muharrem Lika fillimisht është plagosur mbrëmjen e së martës së kaluar rreth orës 23:00 me armë zjarri në afërsi të banesës së tij në Kaçanik, por më pas nuk iu mbijetoi plagëve të marra.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka theksuar se dy të dyshuar kanë ikur në këmbë nga vendi u ngjarjes dhe kanë pasur vetëm kapela dhe jo maska.

Gjatë ditëve të fundit në Kosovë ka pasur raste të vrasjeve në Vushtrri, Prishtinë dhe rasti i fundit i vrasjes së rreshterit policor në Kaçanik, duke shkaktuar tronditje, shqetësim e pasiguri për qytetarët.

Shoqata “Roja e Kohës” ka protestuar pas ngjarjeve të fundit tragjike duke kërkuar reagimin adekuat nga institucionet, pasi që vrasjet dhe dhuna po bëhen përditshmëri dhe se nuk ka vend për heshtje.

Back to top button