Lirohen pas 48 orëve dy serbët që ishin arrestuar në Prizren
Dy serbët që u arrestuan të dielën në Prizren, janë liruar pas ndalimit të tyre prej 48 orësh.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte thënë se të njëjtit janë oficerë aktiv të sigurisë së Serbisë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Lidhur me rastin e fundit, ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë. Prokurori i çështjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet tjera hetimore duke përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurve. Prokuroria mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi të lartë, duke respektuar të drejtat e palëve dhe duke siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë dhe objektive”, shkruhet në përgjigjen e kësaj prokurorie.
Fillimisht në Prizren u arrestuan 12 serbë e më pas u liruan 10 në procedurë të rregullt. Ndërsa dy personat që tashmë janë të lirë u ndaluan për 48 orë.