Tragjedi në Ugandë: Aksidentohet autobusi, vdesin 20 nxënës

Njëzet nxënës humbën jetën pasi autobusi me të cilin po ktheheshin nga një ekskursion edukativ u aksidentua në lindje të Ugandës, njoftuan autoritetet.
Si pasojë e tragjedisë, qeveria e Ugandës pezulloi të premten të gjitha ekskursionet dhe udhëtimet shkollore, pasi aksidenti i ndodhur të enjten në mbrëmje mori jetën edhe të një të rrituri.
Sipas zyrtarëve, tre të rritur të tjerë dhe më shumë se një duzinë fëmijësh mbetën të plagosur, shkruan Al Jazeera transmeton Klankosova.tv.
Policia e Ugandës bëri të ditur se autobusi i shkollës King David Junior School po kthehej drejt kryeqytetit Kampala, pas një vizite në ujëvarat Sipi Falls, kur ndodhi aksidenti pranë fshatit Chekwatit, në distriktin Kapchorwa.
“Hetimet paraprake tregojnë se shoferi humbi kontrollin mbi autobusin, i cili doli nga rruga dhe u përmbys pasi goditi një gur të madh”, deklaroi Policia e Ugandës.
Ministri i Pushtetit Lokal, Balaam Barugahara Ateenyi, tha se “më shumë se 28 fëmijë po trajtohen në spitale, ndërsa nëntë prej tyre ndodhen në gjendje kritike”.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?