Abdixhiku: Kryesuesi ndërpreu seancën pa të drejtë, edhe pse kishte kuorum

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit.
Sipas Abdixhikut, seanca nuk duhej ndërprerë pasi kishte kuorum të mjaftueshëm për votim dhe duhej të vazhdohej me pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e Raportit për Verifikimin e Mandateve.
“Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpriti seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin… Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i LDK-së ka thënë se do të mblidhen pas 48 orëve dhe do t’i shprehin në Kuvend këto shkelje.
Seanca konstituive dështoi për të dytën herë. Të enjten, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën. Kuvendi do të mblidhet të shtunën.