Arratisja mori fund! Dy të kërkuar ekstradohen në Kosovë

Dy persona të kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë janë ekstraduar gjatë ditës së sotme, njëri nga Zvicra dhe tjetri nga Shqipëria, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari i parë ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pasi kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “grabitje”, ndërsa kishte qenë në arrati. Pas ekstradimit, ai iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjilanit për procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, i dyshuari i dytë ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në pikën kufitare të Vërmicës, gjithashtu në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Kosova përmes INTERPOL-it. Ai kërkohej për veprën penale “arratisja nga institucioni”, pasi kishte ikur nga vuajtja e dënimit, ndërsa ishte dënuar për dhënie ndihme në një rast të “vrasjes së rëndë”.
Pas ekstradimit në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Pejës, ku do të vazhdojnë procedurat ligjore.
Policia e Kosovës theksoi se këto ekstradime janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet e Zvicrës dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe sjelljen para drejtësisë të personave të kërkuar.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?