Cakolli: Seanca mund të dështojë edhe të mërkurën

Lëvizja Vetëvendosje ka shkelur procedurën parlamentare me mos hedhjen në votim të kandidatit për kryetar të Kuvendit të Kosovës të hënën, thotë hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli.
Ani pse përfaqësuesi i LVV-së, Glauk Konjufca, në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive, tha se emri për kryetare të Kuvendit nga radhët e tyre vazhdon të jetë deputetja Albulena Haxhiu, ai sugjeroi që kjo të mos hidhet në votim pasi e konsideroi të nevojshme të bëhen konsulta shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Haxhiu në seancën e fundit të javës së kaluar nuk ka marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare. Ajo u mbështet nga vetëm 57 vota deputetë, 20 vota ishin kundër, ndërkaq tre deputetë abstenuan.
Veprimi i sotëm i LVV-së po konsiderohet nga Cakolli si shkelje e rregullores së Kuvendit si dhe Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.
Ai thotë për KosovaPress se situata e njëjtë mund të përsëritet edhe të mërkurën, kur edhe është caktuar vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, derisa thekson vendi rrezikon të hyjë në një krizë politike.
“Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast zotëri Konjufca si përfaqësues i saj, në këtë rast shkeli rregulloren dhe obligimin që ka nga Gjykata Kushtetuese që të propozojë një kandidat, ndonëse u tha që emri është i njëjtë. Mirëpo mos hedhja e tij në votim por kërkesa për konsulta shtesë në aspektin procedural tregon se nuk është konsumuar e drejta dhe procedura siç parashihet me rregullore por edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014. Ka pasur shkelje në mos ofrimin e emrit dhe mos hedhjen në votim të tij, por edhe kërkesa për konsulta shtesë është arsyetuar në këtë rast edhe nga vet institucionet në rastet të tjera të mëhershme”, thekson ai.
Në anën tjetër, Cakolli bën thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare, mirëpo shton se barra më e madhe për të arritur një gjë të tillë i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në aspektin formal situata nuk është e njëjtë, meqenëse për dallim nga dy herët e seancës së kaluar kur kishte propozim dhe votim formal, kësaj radhe LVV-ja nuk e ushtrojë të drejtën që ka për nomimuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ky është indikacion i një krize edhe më të thelluar, ndonëse në aspektin procedural zotëri Dehari nuk kishte ndonjë opsion tjetër përveç ta ndërpresë seancën, pasi duket se LVV-ja nuk do të propozojë emër tjetër. Rrjedhimisht pa një marrëveshje politike unë pajtohem se situata nuk mund të prodhojë aritmetik tjetër parlamentar, kur numrat dhe formula është e njëjtë. Prandaj LVV-ja që ka obligimin kushtetues të konsituimit të Kuvendit, duke propozuar një kandidat që arrin t’i sigurojë votat. Gjykata Kushtetuese i ka obliguar deputetët të marrin pjesë në votim, por jo që të votojnë për, pasi është në diskrecion të deputetëve. Partia që duhet të reflektojë në këtë drejtim së pari është Lëvizja Vetëvendosje që ka edhe barrën më të madhe të përgjegjësisë për përmbylljen e formimit të institucioneve”, thekson ai.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet të hënën as në tentativën e katërt. E një gjë e tillë sipas Cakollit mund të ndodh edhe të mërkurën dhe të shtyhet në mënyrë të pafundme nëse s’ka dakordim ndërmjet partive parlamentare.
“Në rastet e tilla edhe të mërkurën LVV-ja mund që të mos propozojë fare një emër dhe rrjedhimisht seanca mund të shtyhet në mënyrë të pafundme pasi s’ka asnjë afat procedural. Për bindjen tonë kjo është situata më e komplikuar juridike”, përfundon ai.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar të mbahet të mërkurën në orën 10:00.