Vjosa Osmani ua kërkon partive politike emrat për anëtarë të rinj të KQZ-së

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka kërkuar partive politike t’i propozojnë emrat për anëtarë të rinj në KQZ.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Bekim Kupina nga Presidenca.
Ajo tashmë ua ka dërguar një shkresë grupeve parlamentare që janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq ligji për Zgjedhjet obligon presidenten që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare t’ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, bazuar në rezultatet që kanë dalë nga zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ”, thuhet në paragrafin 6 – neni 61.
Në këtë nen thuhet se “grupet parlamentare/subjektet politike brenda afatit prej 7 ditësh i dërgojnë propozimet e tyre dhe emërimi nga presidenti bëhet brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve”.
Mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve. Fillimi i mandatit nënkupton përfundimin e mandatit paraprak.
Kujtojmë se KQZ ka certifikuar më 27 mars rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit. /21Media