LVV-ja skeptike për gazin e lëngshëm natyror: Duam gazifikimin e thëngjillit

(Lajm i përditësuar)
“Për keqardhje”, Kusari Lila tregon prapaskenat para recitimit të poezisë nga e mitura në fushatën e LVV-së
Kandidatja për deputete koalicioni nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe kryetarja e Aleternativës, Mimoza Kusari Lila, në emisionin “Click” e cilësoi për keqardhje poezinë nga e mitura në fushatën e LVV-së në Vushtrri.
“Ka qenë një moment shumë spontan, ju siç e keni parë as vetë kryeministri apo kryetari i Lëvizjes nuk ka qenë i informuar me përmbajtjen e asaj se çfarë do të thotë vajza, prindi i saj ka qenë afër, unë kam qenë pak më herët në sallë, kam qenë dëshmitare kur prindi m’u afrua dhe tha: ‘E ka vajza ime një vjershë të bukur për Kosovën’. Tha: ‘A mundesh me i thanë Albin Kurtit me më leju me fol?’. I thashë: ‘Po më vjen keq, nuk merrem me organizimin e protokollit’, por e njoftova me ato vajzat e protokollit dhe pastaj ai duket se ka pritur derisa ka hyrë kryeministri dhe të njëjtat fjalë ia ka thënë. Sinqerisht, vajza nuk është ftuar si fëmijë, ajo ka qenë në përcjellje të prindit dhe prindi kështu ma ka thënë mua: ‘E ka vjershën të bukur të Kosovës’, dhe kur e kam dëgjuar kam bërë kështu ‘oo’. Fatkeqësisht, mua më vjen keq pikërisht për atë situatë, por po ta them, isha vetë dëshmitare e insistimit të prindit dhe mënyrës si e ka thënë”, tha ajo.
LVV-ja skeptike për gazin e lëngshëm natyror: Duam gazifikimin e thëngjillit
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, në emisionin “Click” u pyet se a e mbështet LVV-ja projektin amerikan për gazin e lëngshëm natyror. Ajo tha se mbështesin gasifikimin e thëngjillit.
“Kosova si vendi i pestë në botë me rezerva të linjitit e shohim më të arsyeshme, sepse në situata të krizave, gjithmonë në momente kur ka ndërprerje të furnizimit, është më e sigurt që burimi i energjisë apo lënda e parë për atë projekt energjik të jetë në vendin ku janë impiantet”, tha ajo.
Më tej, Kusari Lila shprehu skepticizmin në lidhje me gazin e lëngshëm natyror.
“Skepticizmi ynë ka qenë te transportimi, gjegjësisht te gazi i cili duhet prapë të transportohet dhe të sillet te gazsjellësi”, tha Kusari Lila.
Kur u pyet se a e kanë ende këtë skepticizëm, ajo u përgjigj:
“Mendoj që nuk ka vendim i cili mund të konfirmojë këtë projekt, por ka një vullnet dhe një interesim të lartë që me kompanitë amerikane të bashkëpunohet në gazifikimin e thëngjillit”, u shpreh ajo.
“Vlerësim në piedestal”, Kusari Lila komenton raportin Osmani–Trump
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, në emisionin “Click” komentoi raportin e ish-presidentes Vjosa Osmani me presidentin amerikan Donald Trump. Ajo tha se çdo personalitet politik e publik i Republikës së Kosovës që është në raporte të mira me SHBA-në është për t’u vlerësuar në piedestal.
“Unë mendoj se këtë vlerësim e ka marrë edhe zonja Vjosa Osmani Sadriu. Kanë qenë momente të presidencës së saj që e ka marrë krejt shkëlqimin e mundur jashtë dhe brenda vendit dhe absolutisht askush nuk mund t’ia mohojë ose t’ia cenojë atë pronësi të raportit”, tha Kusari Lila.
Ajo komentoi edhe publikimin e bisedave që Osmani zhvilloi me Trump.
“Bile bile, nga e saj edhe disa biseda ose komunikime që ajo po konsideron që duhet t’i ndajë me publikun, me të vërtetat dhe të pavërtetat që po qëndrojnë, se unë nuk kam qenë në këtë proces, prandaj edhe rezervoj që të marr vendim ose anë në këtë vazhdë të akuzës ose kundërakuzës, por një gjë mund ta them se ne kemi pasur një periudhë të mirë të qeverisjes me qeverinë Kurti 2, të Presidentes Osmani Sadriu në presidencë, kemi pasur progres qoftë në politikën e jashtme, qoftë të brendshme, jemi ballafaquar me kriza të importuara, jo për shkak të fajit tonë”, u shpreh ajo, duke shtuar se ajo është optimiste se Kosova ka treguar që është demokraci e fortë funksionale.
Kurti paralajmëroi “zgjedhje pas zgjedhjeve”, por Kusari Lila thotë diçka tjetër
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, në emisionin “Click” tha se nuk mund të lejohet që vendi të përballet edhe me një proces tjetër zgjedhor.
Kur iu përmend deklarata e Kurtit se mund të ketë zgjedhje pas zgjedhjeve, ajo tha:
“Kryeministri ka qenë i qartë gjatë gjithë kësaj fushate me qasjen, komunikimin dhe mesazhet. Nuk janë as për së afërmi mesazhe që mund të çojnë në brengë. Me atë çfarë do të kemi pas 7 qershorit është një vizion për të ardhmen”, u shpreh ndër të tjerash ajo.
Kusari Lila tregon “arsyet e ndryshme” pse LVV-ja nuk e kandidoi Osmanin për Presidente
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, në emisionin “Click” në RTV21 u deklarua rreth prishjes së raportit të LVV-së me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Kur u pyet pse nuk u kandidua Osmani për presidente nga ana e LVV-së, Kusari Lila tha se kjo ndodhi për arsye të ndryshme.
“Në fillim ka pasur hezitim për të mbështetur kandidaturën e saj në kuptimin e mundësisë për të pasur 80 vota në Kuvend, pastaj ka filluar një diskurs ndarës më shumë sesa përbashkues rreth asaj mundësie të nominimit dhe rezultatin e pamë”, tha Kusari Lila./RTV21./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?