“Duhen veprime urgjente”, Bajrami fajëson qeverinë Kurti për rënien në indeksin e lirisë së mediave

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi Kosova ka rënë për 24 vende  në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Ajo për këtë rezultat ka fajësuar pushtetin.

“Ky është rezultat i qeverisë Kurti që gjatë tërë mandatit zgjedhi propagandën mbi transparencën, kontrollin mbi kritikën dhe frikën mbi lirinë.Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, Kosova bie nga pozita e 75-të në pozitën e 99-të. Kjo rënie është alarm për çdo qytetar që beson në demokraci.Ky nuk është vetëm një indeks në një raport ndërkombëtar, është pasqyrë e katër viteve ku pushteti i Kurtit ka sulmuar gazetarët, ka denigruar mediat kritike dhe ka tentuar të heshtë fjalën e lirë.”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

“Gjatë katër viteve të fundit gazetarët janë etiketuar si “bashkëpunëtorë të Serbisë”, janë përballur me padi, kërcënime, bojkote dhe fyerje të përditshme. Ky diskurs sot është bërë normë dhe është rezultat i sjelljes katërvjeçare të LVV-së në pushtet. Ky diskurs e kjo sjellje është brejtësi që po shkatërron themelet e demokracisë.

Sot, Kosova renditet e 99-ta në mesin e 180 shteteve aty afër me Mongolinë dhe Mozambikun, kjo tregon se shoqëria jonë sot është më e frikësuar dhe më pak e lirë. Demokracia nuk ndërtohet duke heshtur gazetarët, ajo fillon pikërisht aty ku pushteti pyetet dhe përgjigjet.

Derisa LVV po mban peng institucionet, si vend po degradojmë në çdo sferë. Prandaj, është me rëndësi konstituimi i institucioneve që merren menjëherë me problemet e qytetarëve dhe të gazetarëve. S’ka demokraci aty ku s’ka media të lira.”, ka shtuar Bajrami.

Derisa ajo ka thënë se për të dalë nga kjo gjendje duhet të ndërmerren   veprime urgjente si:

“• Depolitizim i KPM-së,

  • Hartimin e ligjit për KPM-në në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe shoqërinë civile,
  • Depolitizim i bordit dhe menaxhmentit të RTK-së,
  • Ngritje e buxhetit për RTK-në,
  • Ashpërsim i dënimeve për ata që sulmojnë gazetarët,
  • Inkurajim dhe përkrahje për gazetarinë hulumtuese, janë kontribues të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit.”, ka përfunduar Bajrami.

Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete. Raporti thekson presionin politik ndaj mediave, bojkotet qeveritare dhe sulmet ndaj gazetarëve. AGK e ka cilësuar këtë renditje si alarmuese dhe pasojë e një klime armiqësore ndaj lirisë së medias./21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button