Kosova më 13 qershor nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në mbrojtje me SHBA

Edhe këtë vit Kosova do të jetë nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë – Defender Europe 2025, ndërsa më 13 qershor do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje me SHBA-në.
Kështu tha kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti derisa potencoi se këtë vit Kosova është përzgjedhur shteti ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin komandën e divizionit të saj prej kur do të udhëhiqen të gjitha operacionet që do të kryhen në rajonin e Ballkanit.
Në mbledhjen e 58-të të Këshillit të Përgjithshëm, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bëri të ditur se kjo është hera e tretë që Kosova pret në territorin e saj një ushtrim ushtarak të tillë, ku do të angazhohen mbi një mijë ushtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës brenda dhe jashtë vendit tonë.
“Republika e Kosovës edhe këtë vit nga data 26 maj deri më 7 qershor do të jetë vend nikoqir i ushtrimit më të madh ushtarak amerikan në Evropë që planifikohet dhe organizohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë i quajtur Defender Europe 25. Për herë të parë në historinë e saj, Kosova dhe institucionet e saj pritën një ushtrim ushtarak ndërkombëtar në territorin e saj në muajt maj dhe qershor 2021, kur ne sapo krijim marrë mandatin. E kjo është hera e tretë që ky ushtrim po realizohet edhe në republikën tonë. Mbi një mijë ushtarakë të FSK-së do të jenë të angazhuar në këtë ushtrim brenda Kosovës dhe jashtë saj. Më saktësisht në Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut. Këtë radhë, nga ushtria e SHBA-së, Republika e Kosovë është përzgjedhur të jetë shteti ku SHBA-ja e vendos komandën e divizionit të saj prej kur do të udhëhiqen të gjitha operacionet në regjionin e Ballkanit”, potencoi Kurti.
Ndër të tjera, Kurti tregoi se më 13 qershor në Uashington do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje 2025-2030, mes ministrit të Mbrojtjes së Kosovës dhe përfaqësues së mbrojtjes së SHBA-së.
“Më 13 qershor në Uashington, në Departamentin e Mbrojtjes nga ministri ynë i Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së do të nënshkruhet marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje që përfshinë periudhën 2025-2030… Kjo marrëveshje ndërqeveritare e fushës së mbrojtjes përfshin shumë aspekte të bashkëpunimit nga ushtrimet dhe trajnimet, te bashkë zbarkimet ndërkombëtare dhe nga ndërtimi i kapaciteteve ushtarake drejt te bashkë investimet në industrinë e mbrojtjes”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë tha se për të bërë hapa përmbajtjesor drejt anëtarësimit në NATO është investuar posaçërisht në ushtrinë. Ai tha se në mandatin e tij është bërë dyfishimi i ushtarëve, trefishimi i buxhetit, katërfishimi i trajnimeve jashtë vendit dhe qindfishim në blerje armatimi e municioni.