Abdixhiku mbështet takimin konsultativ të Presidentes, ngulmon në qeveri tranzicioni

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se presidentes Vjosa Osmani do të ia propozojë qeverisjen tranzicionale, me mandat të kufizuar dhe detyra të prëbashkëta deri te zgjedhja e presidentit.
“Javën e shkuar LDK-ja dha një zgjidhje. Ajo, deri më tani, mbetet alternativa e vetme e propozuar në skenë. Nuk është ideale, por gjithsesi mbetet e përgjegjshme dhe shtetare. Po pajtohemi që nuk ka shumicë. Po pajtohemi se jemi në krizë. Po pajtohemi se na duhen zgjedhjet eventualisht. Le të punojmë për të gjitha; por deri atëherë shtetit t’i japim një qeveri e qytetarëve adresim të menjëhershëm të problemeve të tyre. Një Qeveri Nacionale të Tranzicionit – me mandat të kufizuar, me agjendë e detyra të përbashkëta deri në zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë”.
Abdixhiku ka thënë se opsioni i propozuar mbetet rrugëzgjidhja e vetme./21Media