Hamza: Si kryeministër i ardhshëm do ta lidh Kosovën me gazin amerikan

Ai është zotuar se do ta lidhë Kosovën me furnizimet e gazit natyror të lëngëzuar amerikan (LNG), duke e cilësuar këtë si një projekt strategjik për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Hamzës, Kosova nuk duhet ta humbasë mundësinë për t’u bërë pjesë e rrjeteve rajonale të gazit natyror dhe për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme energjetike.
“Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme”, ka deklaruar Hamza.
Më tej ai tha se për Partinë Demokratike të Kosovës partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm, duke nënvizuar se kjo ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një prej shtyllave kryesore të politikës së PDK-së.
Sipas tij, lidhja e Kosovës me gazin amerikan do të sillte përfitime të shumta për qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke përfshirë rritjen e sigurisë energjetike, tërheqjen e investimeve të reja, uljen e ndotjes së mjedisit dhe krijimin e kushteve për energji me çmime më të përballueshme për familjet dhe bizneset.
“Kjo është koha për të vepruar. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord. Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Hamza.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?