Edhe një dështim, Kosova mbetet pa Kuvend të konstituar

(Lajm i përditësuar)


Peci: Jemi duke i hyrë në hak pa nevojë , emri i Haxhiu s’ është problemi

Deputeti i LVV-së, Faton Peci,  pas seancës së Kuvendit tha sere po bëhen përpjekje të vazhdueshme nga partia në pushtet për ta zhbllokuar ngërçin politik.

“Ne si grup parlamentar në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje për zhbllokim të kësaj gjendje. Jemi duke kryer detyrimet tona ligjore e kushtetuese, jo vetëm duke marrë pjesë, por duke marrë pjesë edhe në proces të votimit. Është shumë e rëndësishme të potencohet se meqë ka sot përfolje të vazhdueshme për ta ndërruar emrin e kandidates për kryeparlamentare, ne nuk kemi ardhur te propozimi i emrit. Ne kërkojmë një herë proces të votimit të fshehtë. Emri i Haxhiut nuk është problemi, jemi duke i hyrë në hak pa nevojë. Pjesë e përpjekjeve tona është edhe ftesa që u dërgoi Kurti liderëve të PDK-së e LDK-së”, tha ai.

Peci foli edhe për takimet e sotme me presidenten Vjosa Osmani.

“Shpresoj që dilet me propozime që është rrugëzgjidhja, edhe pse në masë të madhe dihen propozimet”, shkroi ai.


Bajrami: Ndarja e përgjegjësive në qeverinë gjithëpërfshirëse do të bëhej në bazë të rezultatit të votave

Deputetja e  (LDK), Hykmete Bajrami, tha se  e mirëpresin takimin e sotëm të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për dalje nga ngërçi i krijuar në Kuvend.

“Është lajm i mirë që partitë politike po ulen së bashku, të ftuara nga presidentja, edhe pse iniciativa për t’u ulur bashkë e për të diskutuar për të dalë nga kriza që e ka krijuar LVV-ja ka qenë propozim i yni”, është shprehur Bajrami.

Ajo shtoi se kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku në takim dhe do ta shpalosë në detaje idenë.

“Nëse partitë politike e përkrahin, besoj që takimet në vazhdim, nëse e përkrahin idenë, janë për detaje të tjera, për afatet, për listën e prioriteteve dhe absolutisht nuk bëhet fjalë për ndarje të pozitave sepse konsideroj që kjo do të ishte e lehtë sepse në një qeveri gjithëpërfshirëse ndarja e përgjegjësive do të mund të bëhej komplet në bazë të përqindjes së rezultateve të votave … Nuk kemi vendosur, kushte, nuk kemi kërkuar dikastere as se kemi diskutuar këtë”, ka theksuar Bajrami, pas dështimit të 16-të të konstituimit të Kuvendit”, tha ajo.


Krasniqi: Pa kuvend dhe qeveri, bizneset rrezikohen nga tregu i lirë i energjisë

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, pas seancës së Kuvendit i bëri thirrje LVV-së që ta ndryshojë emrin e kandidates për kryetare të Kuvendit.

Sa i përket takimit të sotëm me presidenten Osmani, ai tha:

“Po shkojmë me gatishmëri, po shkojmë me vullnet dhe me bindje se vendit i duhen institucione. Ju e patë këto ditë, ne e humbëm përsëri shansin që të jemi anëtarë të KiE-së për shkak të kësaj bllokade, sepse sikur të kishim kuvend e qeveri, mund të ishte një realitet ndryshe. Përtej kësaj, ne ende jemi nën sanksione nga BE-ja, nuk kemi avancim të raporteve me SHBA-në dhe kemi shtrenjtim të energjisë elektrike.
Kemi një rrezikim të jashtëzakonshëm të bizneseve të mëdha, të cilat do të jenë në tregun e lirë të energjisë, dhe ne s’do të mund të bëjmë asgjë në Kuvend — as për ta thirrur ZRrE-në këtu, as për ta shkarkuar bordin, as për të bërë asgjë.”, tha ai./21Media


Edhe një dështim, Kosova mbetet pa Kuvend të konsituuar

Deputetët as për të 16-ën herë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Prapë nuk u votua formimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
55 vota ishin për, një kundër dhe nuk pati abstenime.

Seanca u shty për 17 maj në orën 10:30.


AAK do të shkojë me propozim te Presidentja

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, para seancës së Kuvendit tha për RTV21 se ky subjekt politik nuk ka ndryshuar qëndrim.

“Ne do të veprojmë njëjtë. Ata do të kërkojnë të krijohet komisioni ad hoc dhe, normalisht, për shkak të ndërrimit të kësaj procedure që konsiderojmë se është antikushtetuese, ne nuk do të marrim pjesë në votim,” tha ajo.
Derisa shtoi se, sa i përket takimit me partitë tjera, pret të shohë çfarë do të propozojnë edhe partitë tjera.

“Shpresojmë në ndonjë zgjidhje, sepse është e pakuptimtë bllokada që po bën LVV për konstituimin e Kuvendit me një emër,” tha ajo.

Derisa pranoi se AAK do të shkojë me ndonjë propozim te Presidentja.

“Sigurisht që do të ketë, por atë do ta elaborojë z. Ramush Haradinaj gjatë takimit me Presidenten,” tha ajo./21Media


 Lushaku: Propozimi jonë më i miri

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, para seancës së Kuvendit tha për RTV21 se qëndrimi i LDK-së është i njëjtë.

“Ne po presim ashtu siç i takon përparësia partisë më të madhe ta propozojë emrin e kryetarit dhe ta sigurojë edhe shumicën e votave. Ne si parti i kemi dhënë qëndrimet tona dhe nuk kemi ndonjë lëvizje, për shkak se po e shohim se, përkundër faktit që kemi pasur dëshirë të japim propozim për një qeveri tranzicionale, nuk kemi gjetur mbështetje. Andaj, sot presim që të jetë skenari i njëjtë,” tha ajo.

Sa i përket takimit me presidenten, ajo tha se në këtë rast nuk do të shkojnë me skenar, por, siç u shpreh, mirëpresin çdo iniciativë për të dialoguar.

“Propozimi ynë besojmë se është më i miri për situatën,” tha ajo.

Kur u pyet se a do të bëjnë kompromis, tha se të shohim çfarë do të ketë në dialog./21Media


Deliu Kodra: Edhe për ne si deputetë është bërë e pakuptimtë ardhja në seanca të tilla

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, para seancës së Kuvendit tha për RTV21 se subjekti politik ku ajo bën pjesë nuk ka ndryshuar qëndrim.

Ajo u pyet edhe rreth takimit të sotëm të liderëve të partive me Presidenten Osmani. Ajo përmendi që PDK ka kërkuar edhe më herët këtë takim nga Presidentja.

“Do të duhej që të kemi një ulje me presidenten e vendit, të gjitha grupet parlamentare, për të bërë përpjekje për të dalë nga ngërçi politik që ka kapluar vendin. Mbetet të shihet se çfarë do të prodhojë ky takim, por po e them se këto janë përpjekje të PDK-së që po i bëjmë në mënyrë që të dalim nga bllokada e rëndë që e ka kapluar Kosovën tash e tre muaj. Edhe për ne si deputetë është bërë e pakuptimtë ardhja në seanca të tilla pa bërë asgjë, madje edhe për qytetarët, të cilët kanë votuar të zgjedhurit e tyre, është e rëndë të shohin këtë skenë cirku,” tha ajo./21Media


“Askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta”, Zemaj: Kjo situatë u krijua nga LVV-ja

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha para seancës së Kuvendit që është përgjegjësi e LVV-së që të ofrojë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit.

Ai shtoi se qëndrimi i LDK-së vazhdon të mbetet i palëkundur edhe sot para Presidentes Osmani. Ndërkaq, ritheksoi sërish propozimin e tyre për një qeveri tranzitore.

“Po të ishte kompromis, atëherë ne do të flisnim për pozita subjektive dhe atëherë mund të vinim në përfundim se kjo është punë e vetëm një subjekti politik. Zgjedhjet e fundit e kanë dhënë këtë rezultat, ndërsa situatën e ka krijuar Lëvizja Vetëvendosje që, siç duket, askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta,” tha Zemaj./21Media


Berisha: Nuk kam shpresë që do të zgjidhet ngërçi nga takimi me Osmanin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha nuk shpreson se do zgjidhet ngërçi politik nga takimi me presidenten, Vjosa Osmani. Ai tha se si parti kanë dhënë mjaftueshëm propozime, por që askush nuk i ka marrë parasysh.

Para fillimit të seancës konstituive, Berisha u shpreh se partitë politike janë deklaruar para takimit të sotëm me presidenten Vjosa Osmani.

“Në fakt duhet të konsumohen edhe këto dy veprime, do të thotë ftesa nga presidentja, po ashtu edhe një pyetje që ja kemi bërë Gjykatës Kushtetuese. Le të konsumohen edhe këto dyja, nuk kam ndonjë shpresë që do të zgjidhet diçka tek presidentja, sepse partitë politike veç janë deklaruar para këtij takimi… Kemi dhënë propozime boll por si ka marrë kush parasysh”, deklaroi Berisha.

Sot, në orën 10:30 është paraparë vazhdimi i seancës konstituive, ku edhe një herë do të tentohet për konstituim të legjislativit. Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani mban takime me parti politike sot prej orës 13:00 dhe 15:00.


Hera e 16-të, Kuvendi edhe sot përpiqet të konstituohet

Vazhdimi i gjashtëmbëdhjetë për konstituimin e seancës së legjislaturës së nëntë mbahet sot nga ora 10:30.

Pesëmbëdhjetë përpjekjet e deritanishme kanë dështuar për shkak se koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për kryetarin e ri të Kuvendit.

Maratona e seancës konstitutive, e cila assesi nuk po arrin të merr “dritën e gjelbër” vazhdon, ndërsa presidentja Vjosa Osmani do të takojë pasdite partitë politike për dalje nga ngërçi politik.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa po insistojnë që votimi për zgjedhjen e ish-ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për kryetare të re të legjislativit, të mbahet në mënyrë të fshehtë. Kjo çështje të hënën u dërgua nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Gjykatën Kushtetuese.
Albulena Haxhiu, e propozuara e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa, ka dështuar gjashtë herë të merr votat e nevojshme, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA kanë shprehur kundërshtinë e tyre.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt, ndërsa rezultatet janë certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor më 27 mars.

Back to top button