Rizvanolli: Furnizimi me ujë i komunave veriore nga KRU Mitrovica i ka kushtuar Kosovës 19.5 milionë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka përkujtuar se për 26 vjet, furnizimi me ujë të pijshëm i komunave veriore nga KRU Mitrovica i ka kushtuar Kosovës 19.5 milionë euro, pa inkasuar asnjë cent.
“Përkundër kësaj, furnizimi ka vazhduar pa asnjë problem, me përjashtim të ditëve pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër Lepencit, të shkaktuar pikërisht nga Serbia dhe marionetat e saj në Kosovë, andaj, çdo brengë e shprehur nga Qeveria e Serbisë dhe Lista Serbe për kinse “mosbesim ndaj KRU Mitrovicës”, nuk është brengë për qytetarët serbë të Kosovës, por për humbjen e fuqisë së vet për shantazh dhe për të blerë votën e serbëve të Kosovës përmes institucioneve ilegale”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.
Për më tepër, Rizvanolli ka siguruar qytetarët e Kosovës dhe të gjitha palët se brengat për zëvendësimin e administrimit të furnizimit dhe aseteve nga strukturat paralele ilegale, jashtë kornizës ligjore, kontrollit e mbikëqyrjes nga institucionet e Kosovës, me administrim nga një ndërmarrje e licencuar dhe e monitoruar nga institucionet e Kosovës, janë thjesht të pabaza.
“Ofrimi i shërbimit nga KRU Mitrovica sipas marrëveshjeve të nënshkruara me komunat në janar të këtij viti mundëson furnizim cilësor e të sigurt dhe investime në rrjet e mirëmbajtje të tij”, ka thënë ai.
Për të mundësuar investimet e duhura për përmirësim të shërbimit dhe fillim të matjes e inkasimit, KRU Mitrovica ka kërkuar mbështetje financiare edhe nga Fondi zhvillimor për komunat veriore të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës përkrah fuqishëm këtë kërkesë dhe shpresojmë që komunat dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë do ta përkrahë këtë kërkesë, në të mirë të qytetarëve të komunave veriore dhe një procesi kuptimplotë të bashkëpunimit e integrimit ndër-etnik në këto komuna.
Kujtojmë, më 13 maj është mbyllur kompania paralele e ujësjellësit Ibër në Mitrovicën e Veriut, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.
Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica.