Sveçla për incidentin në veri: Propagandë serbe, asgjë e re nga ta
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me rastin e manifestimit të maturantëve në Mitrovicë të Veriut të premten, ka thënë se Serbia po e përdor për propagandë këtë rast.
Një video ka qarkulluar të premten ku u panë persona që bënin thirrje shoviniste e është bërë simboli i tre gishtave.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se megjithatë kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm në qarqet nacionaliste në Serbi.
“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngulfatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta!” ka shkruar ai.
Në veri dhe në Beogradin zyrtar pati reagime duke e cilësuar incident ndëretnik dhe të tepruar forcën e ushtruar nga Policia e Kosovës.
Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.
Ndërkaq sipas videove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një grup maturantësh nga komuniteti serb po festonte mbarimin e vitit shkollor nëpër qendër të qytetit, kur një polic ndaloi njërin prej tyre për shkak se kishte provokuar njerëzit në një kafene lokale aty pranë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?