Ibish Thaçi vazhdon shkëlqimin në Austri, i gatshëm për t’i shërbyer hendbollit kosovar

Trajneri gjakovar Ibish Thaçi po vazhdon me suksese të jashtëzakonshme në skenën e hendbollit austriak. Prej katër vitesh ai drejton ekipin e Krems-it, me të cilin ka arritur rezultate kulminante, duke fituar si kampionatin ashtu edhe Kupën e Austrisë.
Në një prononcim për RTV 21, Thaçi u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme, por theksoi se ende nuk ka përfunduar asgjë dhe se ekipi i tij duhet të qëndrojë i fokusuar për dy sfidat e ardhshme për të fituar përsëri titullin kampion.
“Jam shumë i lumtur me rezultatet e arritura me skuadrën, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse na presin dy sfida vendimtare për titull. Edhe këtë edicion jemi në finalen e kampionatit austriak, kemi dy ndeshje shumë të vështira përpara, por jemi optimistë se do t’ia dalim dhe do të shpallemi sërish kampionë,” u shpreh Thaçi.

Ai gjithashtu deklaroi se është i gatshëm të bashkpunojë me Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe të kontribuojë për hendbollin kosovar, sa herë që të kërkohet.
Jam gjithmonë i hapur që të jem krah i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe të ofroj përvojën time, përkushtimin dhe vizionin tim profesional sa herë që të kërkohet”, shtoi Thaçi.
Skuadra e tij, Krems, do të përballet me Alpha Hard në finalen e playoff-it të kampionatit austriak. Ndeshja e parë zhvillohet të premten, më 30 maj, në udhëtim, ndërsa ajo e kthimit do të luhet më 6 qershor në Krems, para tifozëve vendas.
Me këtë ritëm dhe përkushtim, mbetet vetëm të presim suksesin e radhës të Ibish Thaçit dhe rikonfirmimin e tij si një prej figurave më të spikatura të hendbollit elitar austriak — dhe pse jo, që një ditë kontributi i tij i çmuar të ndriçojë edhe më shumë të ardhmen e hendbollit kosovar./21Media
