​Krasniqi: Vetëm 19 vota të LDK-së, unë i bëj të tjerat

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 19 deputetë që e votojnë një qeveri të ish-opozitës, ai do t’i siguronte votat e tjera të nevojshme.

“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota të LDK-së unë i bëj tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju, edhe unë, edhe secili, këtu ka deputetë të Kosovës, pa Listën Serbe, që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin”, tha Krasniqi pas Kuvendi dështoi të konstituohet edhe në përpjekjen e 31-të.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të enjten ka shpalosur agjendën 15-pikëshe për një qeveri të unitetit, raporton KosovaPress.

Në agjendë ai ka përfshirë reforma kushtetuese, rritje të pagave, zgjidhje për krizën energjetike si dhe rindërtim të partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Propozimi i LDK-së vjen në kohën kur Kosova është zhytur në ngërç politik pasi nuk po arrihet konstituimi i Kuvendit.

Seanca dështoi edhe të premten, më 13 qershor, që ishte tentim i 31-të me radhë.

Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrijnë të sigurojnë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Krasniqi këmbëngul për qeveri të ish-opozitës: Unë siguroj 10 vota të partive minoritare pa përfshirë Listën Serbe

Back to top button