Krasniqi në Konventën e PDK-së: Kauza jonë është Kosova

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konventën e përgjithshme të njëmbëdhjetë.

Në punimet e kësaj konvente, kandidati për kryetar Memli Krasniqi kritikoi qeverinë në detyrë, duke thënë se nuk do ta votojnë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar.

Krasniqi tha se Kosova nuk mund të ec përpara me “ata që e kthyen vendin mbrapa”, raporton KosovaPress.

“Nuk do ta votojmë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, sepse besojmë që Kosova nuk mund të ecë përpara me ata që e kthyen mbrapa, ne nuk jemi këtu për të ndihmuar riciklimin e kapitullit më të dështuar politik të shtetit tonë, ne jemi këtu për të shkruar një kapitull të ri. Këto katër vite nuk ishin vetëm për zgjedhje, ishin vite për ta forcuar partinë dhe vetveten. Kaluam vite sfiduese, por nuk e cenuam identitetin tonë politik…24:35 PDK vazhdon t’i thotë jo çdo ideje për bashkëqeverisje me partinë që ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, sepse kush e solli Kosovën në gjendjen më të rëndë që nga pas lufta duhet të shkojë në opozitë”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se PDK-ja duhet të përgatitet për fitore në zgjedhje lokale, udhëheqje të qeverisë së ardhshme.

“Dua ta kërkojë besimin tuaj për ta vazhduar udhëheqjen e partisë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme partiake. Ky mandat mbaroi, por puna jo, PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet, prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara… Punët që na presin, fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin dhe ne duhet të jemi ata që i udhëheqin.. Kauza jonë është Kosova, zhvillimi, e ardhmja dhe ne do të ndërtojmë atë së bashku sepse kur Kosova dhe PDK ecin bashkë ka vetëm një drejtim, përpara”, u shpreh ai.

Nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza tha se duhet të votohet Memli Krasniqi përsëri për kryetar të partisë, pasi që me krye në të në zgjedhjet parlamentarë të 9 shkurtit PDK-ja nxori rezultat të mirë. Sipas Hamzës, këtë duhet ta bëjnë edhe më 12 tetor në çdo komunë të Kosovës.

“A e dini pse nxorëm rezultat më të mirë në zgjedhjet e 9 shkurtit? Sepse, ne e depolarizuam shoqërinë kur të tjerët provuan ta përçanin, ne i bashkuam qytetarët rreth programit tonë, në vend të retorikës boshe, ne ofruam program, zgjidhje, paga e mirëqenie më të mirë për qytetarët dhe transformim ekonomik të shtetit tonë. I lamë anash dallimet e vogla për t’u bashkuar rreth vlerave tona dhe interesit të përgjithshëm. Këtë po e bëjmë edhe sot në këtë konventë me vazhdimin e besimit të plotë për kryetarin Memli Krasniqi dhe për strukturat e reja të partisë. Këtë duhet ta bëjmë edhe më 12 tetor në çdo komunë të Kosovës dhe kurdo që në pyetje është interesi i qytetarëve dhe i shtetit tonë”, tha Hamza.

Pjesa tjetër e konventës ka qenë e mbyllur për media, ndërsa pas përfundimit të konventës do të mbahet konferenca për media.

Back to top button