Bajrami kërkon hetime urgjente për KEK-un

Pas dështimit të 36-të të seancës konstituive, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka ngritur akuza ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe institucioneve përgjegjëse për sektorin e energjisë, duke kërkuar hetime urgjente nga Prokuroria Speciale për, siç tha ajo, “mafinë energjetike” dhe tenderë me shifra milionëshe të dyshimta.

Derisa ka theksuar se po të kishte një kuvend funskional, sot me urgjencë do duhej të trajtohej çështja e energjisë elektrike.

“Ne sikur të kishim kuvendin e konsistuar natyrisht se sot me urgjencë do duhej të flitej për gjendjen në korporatën energjetike të Kosovës dhe për mafinë energjetike në përgjithësi. Po besoj, sot të gjithë e keni parë se çfarë po vjellin tymtarët e KEK-ut, jemi në një gjendje jashtëzakonisht të rende. Ka disa kohë që po e ngrisim zërin kundër mafisë energjetike, tashmë e dini se çfarë po ndodh në komplet sektorin e energjisë. Ka ndodhur dyfishim i faturave të energjisë elektrike. I kemi 1 mijë e 300 biznese të cilat janë komplet me kaos sa i përket furnizimit me energji elektrike të cilat po refuzojnë të nënshkruajnë kontrata me furnizuesin e fundit, dhe të cilat nuk e dinë fare se çfarë do të ndodhë pas 60 dite kur edhe i kalon afati i furnizimit KEK-ut si furnizues i mundësisë së fundit”, ka thënë Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka thënë se KEK ka shpallur një tender me negociata në vlerë prej 137 milionë eurosh për rehabilitimin e njësisë A3 në Kosovën A, pa studim të fizibilitetit dhe me kritere të ndryshueshme.

“Është një tender prej 137 milionë euro me negociata i shpallur nga Korporata Energjetike e Kosovës me 22 janar të këtij viti. Bëhet fjalë për 137 milionë euro për modernizim dhe rehabilitim të Kosovës A3. Merreni me mend, Korporata energjetike e Kosovës e ka shpallur këtë tender dhe nuk ka studim të fizibilitetit. Arsyeshmëria që këtë tender të bëjnë me negociata thuhet është sepse, është tepër voluminoz, dhe operatori ekonomik nuk ka bërë studim të fizibilitetit. Pra, ftohen kompanitë të konkurrojnë dhe KEK-u nuk e dinë se çfarë do të bëjnë ato kompani, flitet për modernizim dhe rehabilitimin të njësisë A3. Ka pasur disa ndryshime të kritereve gjatë rrugës të këtij kriteri, dhe nëse nuk gaboj ende është hapur, KEK pret t’i pranojë gjashtë oferta dhe mandej, t’i fillojë negociatat me secilin prej tyre. Nuk ka penallti, nuk ka auditim dhe ka kritere diskriminuese, është thjesht qarkullimi i kompanive kërkohet, dhe kërkohet përvoja e eksperteve, kjo e fundit ka ndryshuar disa herë duke ju përshtat kompanive të ndryshme”, ka shtuar Bajrami.

Ajo ka kritikuar edhe Ministrinë e Ekonomisë për mosmbikëqyrje të KEK-ut, gjatë katër viteve të fundit. Bajrami paralajmëroi se situata do të përkeqësohet dhe e quajti sektorin aktual energjetik në “gjendje kaosi total”. Ajo kërkoi ndërhyrje të menjëhershme institucionale.

“Gjatë katër viteve të kaluara Ministria e Ekonomisë ka dështuar të mbikëqyrë KEK-un. Janë lavdëruar që KEK-u po operon me fitim, por në fakt ajo që shihet është se KEK-u shpeshherë në emër të eksportit të energjisë elektrike ka sakrifikuar edhe rehabilitimin e blloqeve. Sot kur jemi në qershor, kemi rënie të vazhdueshme të blloqeve, por, fitimin e KEK-ut qytetarët po e paguajnë në mënyra të ndryshme, me fatura të larta, me import i cili në periudha verore nuk është fare i nevojshëm të kemi, dhe përmes sponzorizimit të fitimit të kompanive të ndryshme që dyshojmë që janë të lidhur me njerëz në institucionet e energjisë…Jemi në një gjendje të kaosit total energjetike, dhe kjo gjendje pritet të përkeqësohet. Bej thirrje prokurorisë speciale, që menjëherë të fillojë hetimet për gjithë akterët e inovoluvuar në sektor”, ka përfunduar Bajrami./kp

Back to top button