Antonini: Për herë të parë në Kosovë prezantohen pesë filma italianë bashkëkohorë

Për herë të parë në Kosovë prezantohen pesë filma italianë bashkëkohorë, të cilët janë vlerësuar gjerësisht nga kritika dhe kanë fituar çmime të rëndësishme.
Me rastin e edicionit të tetë të “Fare Cinema” – java ndërkombëtare e dedikuar promovimit të kinemasë dhe industrisë italiane të filmit, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë (MAECI) – Ambasada e Italisë në Prishtinë, ka sjellë në Kosovë programin Italian Screens, me synimin për të promovuar filmat më të mirë të kinemasë bashkëkohore italiane.
Programi – që dëshmon përkushtimin e Ambasadës për të thelluar më tej lidhjet kulturore mes Italisë dhe Kosovës – sjell një seri shfaqjesh filmash, falas dhe të hapur për publikun, në Teatrin Oda në Prishtinë dhe në DokuKino në Prizren. Për herë të parë në Kosovë do të prezantohen pesë filma italianë bashkëkohorë, të cilët janë vlerësuar gjerësisht nga kritika dhe kanë fituar çmime të rëndësishme.
Sonte është shfaqur filmi “Vermiglio” që është një rrëfim i fuqishëm që ndërthur kujtesën dhe identitetin, duke na udhëhequr nëpër rrudhat e Historisë dhe plagët e së kaluarës.
Me këtë rast ambasadori i Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini, u shpreh se është i kënaqur që po prezantojnë një program që vlerëson talentin e kinemasë bashkëkohore italiane, duke i dhënë hapësirë të veçantë zërave të rinj dhe perspektivës femërore.
Ai tha se prania e dy regjisoreve gra, Delpero dhe Vicario, si dhe roli qendror i protagonisteve në filmin Diamanti, nuk është rastësi – është një mënyrë për të vënë në pah gjallërinë dhe thellësinë e shikimit femëror në rrëfimin e shoqërisë sonë.
“Filma artistikë të gjigantëve si Federico Fellini, Pierpaolo Pasolini dhe Bernardo Bertolucci, të cilët e lexuan tërësisht gjuhën e kinemasë moderne duke qëndruar mbi supet e regjisorëve të jashtëzakonshëm si Roberto Rossellini, Luchino Visconti dhe Michelangelo Antonioni. Kjo për të thënë se ekziston një vazhdimësi në kinemanë italiane dhe duhet të jemi krenarë për këtë trashëgimi të jashtëzakonshme që nuk ka të dytë. Jam i sigurt që kryeministri Kurti pajtohet me këtë vlerësim. Filmi që do të shikojmë sot, Vermilion i Mauro De Peron, i cili pritet ta përfaqësojë Italinë në Oscars-at e 25-të në kategorinë e Filmit më të Mirë Ndërkombëtar, tashmë ka fituar Luanin e Argjendtë, çmimin e drejtpërdrejtë të jurisë në Festivalin e Filmit të Venecias 2024, dhe ka marrë shtatë çmime David DiDonatello, përfshirë Filmin më të Mirë, Regjinë, Skenarin dhe Kinematografinë”, tha ai.
Antonini ka thënë se dy nga filmat në këtë program janë të drejtuar nga gra, Del Pelo dhe DiGuardia, që sipas tij, nuk është rastësi.
“Dy nga filmat në këtë program janë të drejtuar nga gra, Del Pelo dhe DiGuardia. Nuk është rastësi. Është një zgjedhje e qëllimshme për të festuar gjallërinë dhe thellësinë e vështrimit femëror në portretizimin e shoqërisë sonë. Kjo dërgon një mesazh të fortë në favor të përfshirjes më të madhe, diversitetit dhe pasurisë së perspektivave në peizazhin kinematografik italian, dhe përtej. Edhe pse Kosova ka industrinë më të re të kinemasë në Evropë, rritja e së cilës është nxitur edhe nga përkushtimi i organizatorëve të ndryshëm të festivaleve në vend, regjisoret gra spikasin në skenën dinamike të temave kosovare. Mendoj, për shembull, për Kaltrina Krasniqin, Blerta Bashollin dhe Antoneta Kastratin. U paçtë kjo ngjarje edhe si një moment për të festuar talentin femëror në kinematografi dhe për të riafirmuar se e ardhmja e sektorit tonë audiovizual do të jetë më shumë se sa e pasur – ajo do të jetë e barabartë, gjithëpërfshirëse, plurale dhe e hapur ndaj dialogut ndërkulturor”, tha ai.
Ai shpreson që kjo shfaqje të prezantojë një mundësi për reflektim, lidhje dhe rinovim të kinemasë.
Filmi “Vermiglio” nga Maura Delpero (2024) që është shfaqur sonte është i përzgjedhur për të përfaqësuar Italinë në Oscar 2025 në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”. Fitues i Luanit të Argjendtë – Çmimi i Madh i Jurisë në Festivalin e Venecias 2024 dhe i 7 çmimeve David di Donatello, përfshirë Filmi më i Mirë, Regjia, Skenari dhe Kinematografia.
“Vermiglio” është një rrëfim i fuqishëm që ndërthur kujtesën dhe identitetin, duke na udhëhequr nëpër rrudhat e Historisë dhe plagët e së kaluarës./kp