Samiti i NATO-s, Zelensky takon Donald Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në kuadër të samitit të NATO-s ka zhvilluar sot një takim me presidentin amerikan Donald Trump.
Zelensky ka shkruar në ‘X’, ku bëri me dije se ai dhe Donald Trump diskutuan se si mund të arrihet një armëpushim dhe paqe e vërtetë në luftën Ukrainë-Rusi.
Zelensky ka thënë se takimi ishte “përmbajtës” dhe se të dy diskutuan se si të “mbrojnë popullin tonë”.
“Pata një takim të gjatë me Presidentin Trump. Ne trajtuam të gjitha çështjet vërtet të rëndësishme. Falënderoj zotin President, falënderoj Shtetet e Bashkuara. Diskutuam se si të arrijmë një armëpushim dhe një paqe të vërtetë. Folëm se si të mbrojmë popullin tonë. Ne e vlerësojmë vëmendjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar në afrimin e paqes. Detajet do të vijojnë më pas”, ka shkruar ai në platformën X.
Udhëheqës botërorë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, janë mbledhur për një samit të NATO-s që po mbahet në Hagë, sipas BBC.
Gjatë një konference për shtyp më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Trump diskutuan për konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Trump i krahasoi dy vendet si “dy fëmijë në një oborr shkolle”.
“Ata luftojnë si të çmendur. Nuk mund t’i ndalosh. Lëre të luftojnë për rreth dy, tre minuta. Më pas është më lehtë t’i ndalosh”, tha ai. /kp