Murati – Ramës: Për bllokim të buxhetit të Prishtinës ankohu te LDK-ja

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se fjetore për bllokimin e buxhetit të Prishtinës është opozita, e cila sipas tij e ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij për shkak të kësaj ka mbetur pezull edhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit të buxhetit që do të mundësonte zhbllokimin e buxhetit për kryeqytetin.
Ai ka thënë se për këtë kryetari i Prishtinës Përparim Rama do të duhej të kërkonte përgjegjësi te partia e tij, LDK-ja.
Murati ka thënë se ky ndryshimi i Ligjit për Buxhetin do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore.
“Pra buxhetet komunale janë miratuar në asambletë përkatëse tek pas votimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kësisoj ato buxhete ende nuk janë në fuqi. Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina. Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai e ka akuzuar Ramën për shkelje të Ligji për financa publike e shkelje në tenderë.
“Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik. Për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”, ka shkruar Murati.
Rama të hënën i bëri thirrje publike kryeministrit në detyrë Albin Kurtit që të zhbllokojë buxhetin e Komunës, duke përmendur projektet e mëdha, që sipas tij kanë ngecura për shkak të mungesës së bashkëpunimit.