Kaloni te përmbajtja kryesore

​Kadrijaj: Kurti e Limaj po takohen për të mos u dakorduar

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka deklaruar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, dhe lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, po takohen për të mos u dakorduar. Sipas saj, nuk dihet cili është qëllimi i takimit dhe cilat janë kërkesat e Kurtit apo të Limajt.

Megjithatë, Kadrijaj tha se “Kurtit po i afrohet afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit” dhe sipas saj, nëse nuk ka zgjedhje të trupave të Kuvendit deri më 26 korrik, atëherë “Kushtetuesja mund të japë të drejtën për të propozuar kryekuvendar dikujt tjetër”.

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim më 26 qershor, ku detyron deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse kjo nuk ndodh.

“S’kemi pasur informata. Me sa duket, në bazë të mediave, ata ishin takuar për të mos u dakorduar. Nuk po e shoh se ku është qëllimi dhe cilat janë kërkesat e z. Limaj dhe Albin Kurti. Të shohim në ditët në vijim. Afati kohor po afrohet, 26 korriku është afër dhe Kurti e ka shansin e fundit për konstituimin e Kuvendit. Gjykata, pas 30 ditëve të moskonstituimit, me gjasë do t’i japë të drejtën dikujt tjetër”, tha ajo.

Këto komente ajo i bëri duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës për përpjekjen e 50-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë. /kp

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button