Behramaj për sulmin terrorist në Banjskë: Shpërthim e të shtëna — kuptuam se përballë kishim një grup të organizuar

Para trupit gjykues po dëgjohet dëshmitari, Halim Behramaj, i cili është polic hetues në njësinë e trafikut në Mitrovicë.
Dëshmitari i Prokurorisë Speciale ka treguar se rreth orës 02:00 përmes radiolidhjes janë njoftuar se në fshatin Banjskë është vendosur një barrikadë.
Në pyetjet e prokurorit special, Naim Abazi, Behramaj tha se në 21 vite përvojë pune në Polici të Kosovës, sulm të tillë nuk ka hasur.
“Gjithashtu pas dy tre minutave unë bashkë me kolegun Avni Shala jemi vendosur prapa tyre. Diku 500-600 metra para se të hyjmë në fshatin Banjskë, pasi e kontrolluam vazhduam në drejtim të Banjskës. Kanë qenë tri vetura policore. Në veturën e dytë ka qenë rreshteri Afrim Bunjaku dhe Elez Peci, kurse në veturën e tretë kam qenë unë dhe Avni Shala. Pasi kemi arritur në fshatin Banjskë, vetura e parë është ndal afër barrikadës, pastaj vetura e dytë dhe e tretë 30 metra larg barrikade. Po ashtu, te barrikada ka qenë edhe një veturë e njësisë kufitare’ tojota’. Kemi dalë prej veturës, policët që kanë qenë në veturën e parë vetëm sa kanë arritur te barrikada, në atë moment polici Elez Peci na e ka tërhequr vërejtjen se mund të jetë dhe kemi filluar të shpërndahemi. Vendi ku ishte barrikada dhe ku ishim ne ishte ndriçim i plotë. Ndërsa në fshatin Banjskë ishte errësirë totale. Dhe, pasi kemi filluar të shpërndahemi menjëherë është dëgjuar një shpërthim i madh. Policët që kanë qenë më afër barrikadave janë barrikaduar më afër barrikadës aty. Ndërsa unë edhe Avni Shala jemi kthyer prapa veturës tonë dhe jemi barrikaduar prapa veturës tonë si mburojë. Në të njëjtën kohë me shpërthim ka pasur të shtëna me armë. Menjëherë kemi kuptuar që nuk kemi të bëjmë me një grup të thjeshtë kriminal, pasi pozita prej ku qëllonin dhe armët na bënin të kuptojmë që është një grup i organizuar. E kam vërejtur që rreshteri Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në rrugë. Ne ishin diku rreth 30 metra larg dhe e kishin të pamundur të afroheshim”, tha ai.
Para trupit gjykues, ai tha se nga gjuajtjet e armëve kanë kuptuar se është një geup i organizuar dhe se armët janë të kalibrave të ndryshëm.
“Në bazë të armëve të përdorura të cilat nga zhurma ke mujt me kuptu qe janë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu ka pasur gjuajtje e armë edhe më të rënda. Pozita ku kanë qenë të vendosura, errësira qe ka qenë në fshat na ka bërë të kuptojmë qe është një grup i organizuar. Që qëllim ka pasur që të bëjë dëm sa më të madh”, tha ai.
Në pyetjen e prokurorit, Naim Abazi, se “a e ndjen vetën të dëmtuar në këtë rast”, dëshmitari Behramaj tha se ndjehet i dëmtuar me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
“Natyra e punës së policëve është e tillë, ballafaqohemi me rreziqe të ndryshme. I dëmtuar ndjehem se është vrarë kolegu Afrim Bunjaku. Ndërsa unë nuk ndjehem i dëmtuar unë personalisht”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave. /kp