Ngritet aktakuzë ndaj personit të dyshuar për dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj M.A për katër vepra penale: Sulm ndaj personit zyrtar, Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm, Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge, Posedim i paautorizuar i armëve.

“Sipas aktakuzës, më 29.05.2023, që nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri M.A, i ka sulmuar dhe seriozisht i ka kanosur disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, shufra të ndryshme, koktej molotovi dhe mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri”, thuhet në njoftim.

I dyshuari akuzohet se, edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, së bashku me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar.

Kujtojmë se në këtë ngjarje ishin lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, si dhe janë shkaktuar lëndime të rënda trupore tek disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe dëme të mëdha materiale në automjete zyrtare dhe të gazetarëve që ishin prezent.

Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.

Back to top button