Kaloni te përmbajtja kryesore

Vendimi i ZRRE për rrymën në pikëpyetje, avokatja Osmani: Do t’i drejtohemi të gjitha autoriteteve përkatëse”.

Gjykata Komerciale e Kosovës ka njoftuar dje se ka anuluar pjesërisht vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe të zbatuar në kundërshtim me procedurat ligjore.

Megjithatë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mohuar që ky vendim gjyqësor e anulon tërësisht liberalizimin e tregut.

Sipas burimeve të Kosovapress brenda ZRRE-së, vendimi i Gjykatës është për një rast të veçantë dhe nuk ka efekt të përgjithshëm ndaj të gjitha bizneseve. ZRRE rithekson se vendimi i saj është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbetet në fuqi për të gjitha subjektet që nuk janë përfshirë në këtë rast specifik gjyqësor.

Avokatja Blinera Osmani, mbrëmë në emisionin “Click” të RTV21, bëri të ditur se i është drejtuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) me kërkesë zyrtare për të ndalur ekzekutimin e vendimit për ndërprerjen e energjisë elektrike ndaj bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata në tregun e lirë.

Ajo theksoi se vendimet gjyqësore dhe aktgjykimet janë të detyrueshme për të gjitha palët në procedurë, dhe moszbatimi i tyre mund të përbëjë vepër penale.

Osmani, tutje tha se nëse ZRRE, nuk do e implementoj vendimin e Gjykatës, ”do t’i drejtohemi të gjitha autoriteve përkatëse”.

“Ne i jemi drejtuar zyrtarisht ZRRE-së, duke e njoftuar me aktgjykimin e Gjykatës Komerciale dhe me masën pezulluese, dhe kemi kërkuar që të ndalet ekzekutimi i vendimit për ndërprerjen e energjisë për konsumatorët që nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshje me ndonjë operator apo furnizues në tregun e lirë. Vendimet gjyqësore dhe aktgjykimet janë të detyrueshme për të gjitha palët në procedurë dhe moszbatimi i tyre mund të përbëjë vepër penale. I bëjmë thirrje ZRRE-së që të mos e ekzekutojë vendimin për ndërprerjen e energjisë elektrike,” tha Osmani.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button