Kaloni te përmbajtja kryesore

Kosova me shërbimin Apple Pay, Ambasada e ShBA’së: E bën vendin më tërheqës për investimet amerikane

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se është krenare që ka dhënë kontribut që shërbimi ndërkombëtar i pagesave “Apple Pay” të jetë i disponueshëm edhe në Kosovë, teksa e ka cilësuar këtë si lajm të madh.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook nga kjo ambasadë thuhet se funksionimi i Apple Pay në Kosovë e bënë Kosovën vend edhe më tërheqës për investimet amerikane dhe inovacion.

“Lajm i madh për ekonominë dixhitale të Kosovës: Apple Pay tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ambasada e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur këtë hap të rëndësishëm, i cili pasqyron rolin gjithnjë e më të madh të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës. Ky moment i rëndësishëm avancon objektivat e Kosovës për rritje ekonomike, përfshirje financiare dhe modernizim dixhital, duke ndihmuar për ta bërë vendin edhe më tërheqës për investime dhe inovacione amerikane”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Lajmi për funksionimin e këtij aplikacioni në Kosovë është bërë i ditur të martën nga Banka Qendrore e Kosovës, duke e quajtur këtë si hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesave dhe përshpejtimit të digjitalizimit në Kosovë.

Përmes një njoftimi nga BQK’së u tha se bankat dhe institucionet financiare në vend mund të lidhin kartelat e tyre me platformën “Apple Pay”, duke u mundësuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë që të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve të tyre “Apple”.

“Funksionalizimi i plotë i këtij shërbimi për të gjitha bankat dhe institucionet financiare merr kohën e nevojshme mbi bazën e marrëveshjeve të tyre individuale dhe integrimet e nevojshme teknike. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesave, rritjes së përfshirjes financiare dhe përshpejtimit të digjitalizimit në Kosovë. Pas integrimit të Google Pay, Apple Pay përfaqëson një plotësim të domosdoshëm të qasjes sonë drejt ndërkombëtarizimit të shërbimeve financiare dhe përmbushjes së standardeve evropiane për pagesa digjitale, thuhet në njoftim. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button