Lind foshnja ‘më e vjetër’ në botë

Sipas vlerësimeve, aktualisht ka qindra miliona embrione në ngrirës në të gjithë botën – teprica të krijuara gjatë trajtimit IVF, ku shpesh krijohen më shumë embrione sesa nevojiten në të vërtetë. Kohët e fundit u njoftua se një nga këto embrione, i ngrirë në vitin 1994, erdhi në jetë pas më shumë se tre dekadash.
Më 26 korrik 2025, në shtetin Ohio, u lind Thaddeus Daniel Pierce – një djalë, embrioni i të cilit u ngri në vitin 1994, përpara se prindërit e tij, Lindsay dhe Tim Pierce, të mësonin të lexonin dhe të shkruanin, raporton The Times.
Lindsay tha për MIT Technology Review, se “nuk synuan të thyenim ndonjë rekord, por thjesht donin të kishin një fëmijë.” Ajo shtoi se Thaddeus ka një motër 30-vjeçare, pasi motra e tij kishte lindur më parë nga i njëjti grup embrionesh.
Rekordi i mëparshëm botëror mbahej nga binjakët e lindur në vitin 2022 në Oregon, embrionet e të cilëve ishin gjithashtu të ngrira për 30 vjet.
Embrioni u krijua gjatë një procesi IVF në vitet 1990 për Linda Archard dhe ish-bashkëshortin e saj, të cilët po luftonin me infertilitetin. Nga katër embrionet e krijuara, njëri u implantua dhe rezultoi në lindjen e vajzës së tyre – tani një grua 30-vjeçare dhe nënë e një vajze 10-vjeçare. Embrionet e mbetura mbetën në frigorifer për 30 vjet.
Pas divorcit, Linda mbajti kujdestarinë e embrioneve. Më vonë, ajo mësoi për mundësinë e “adoptimit të embrioneve” – një formë dhurimi që shpesh organizohet përmes agjencive të krishtera në SHBA. Ajo pranoi të dhuronte embrionet e mbetura në një program për “embrione të vështira për t’u adoptuar” – ato që kishin qenë në ruajtje për një kohë të gjatë ose konsideroheshin se kishin një shans më të ulët për sukses.
Lindsey (35) dhe Tim (34) Pierce iu bashkuan të njëjtit program pas shtatë vitesh përpjekjesh të pasuksesshme për të pasur një fëmijë. Nga tri embrionet e transferuara, njëri u implantua me sukses dhe Thaddeus lindi si një djalë i shëndetshëm.
Thaddeus Daniel Pearce është bërë një simbol i progresit mjekësor – “foshnja më e vjetër në botë” e lindur nga një embrion i ngrirë deri në 30 vjet e gjysmë më parë. Ky rast nxjerr në pah dilemat dhe sfidat e ruajtjes afatgjatë të embrioneve, si dhe potencialin që sjell bota e trajtimit IVF në dekadat e ardhshme.