SBAShK-u i bashkohet protestës kundër Gjykatës Speciale

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) njoftoi se ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, që do të mbahet më 7 gusht, nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
SBAShK-u përmes një komunikate për media bën të ditur se punëtorët e arsimit, nga çerdhet e deri në universitete, do të jenë pjesë e kësaj proteste paqësore, të cilën e cilësojnë si “një zë i fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës dhe drejtësisë”
“Pjesëmarrja e gjerë e punëtorëve të arsimit, shkencës dhe kulturës në këtë protestë është
një mesazh i qartë: ne nuk harrojmë sakrificën!Falë atyre që sot padrejtësisht ndodhen në qeli, ne sot gëzojmë lirinë, ecim të lirë në shtetin tonë dhe edukojmë brezat për atdhedashuri e drejtësi. SBASHK-u ngre zërin për drejtësinë, për lirinë dhe për ata që sakrifikuan gjithçka për të ardhmen tonë.”, thuhet në njoftim.