Keqtrajtimi i të miturës nga bashkëmoshataret në Gjilan, njëra është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 24 orë

Para disa ditësh në rrjetet sociale ka qarkulluar një video se si disa të mitura kanë keqtrajtuar, kërcënuar dhe xhiruar një bashkëmoshatare në një ambient të mbyllur në Gjilan.
KALLXO.com ka siguruar videon, në të cilën shihet viktima e shtrirë në dysheme dhe të dyshuarat duke ia mbajtur duart dhe këmbët. Aty dëgjohet viktima duke thënë “mos ma leni trupin këtu nëse më bjen të fikët”. Ndërsa të dyshuarat dëgjohen duke i thënë “jo bre, nuk ta lojmë trupin këtu, ta hupim najkah…ta djegim trupin. A e di që unë e di qysh hupet një trup? Po de, veç të shtimë qaty, ta çelim një gropë”.Në një pjesë tjetër të videos njëra nga të dyshuarat dëgjohet duke i thënë viktimës e cila vazhdon të jetë e shtrirë në dysheme “nëse një video i shkon nanës tem, të vraj, në shpi të hi të vraj”.
KALLXO.com ka marrë vesh se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës në Gjilan dhe se njëra nga të dyshuarat është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 24 orë. Ndërsa të dyshuarat e tjera janë të njohura për organet e rendit.
Sipas informacioneve që ka KALLXO.com, të dyshuarat dhe viktimat janë 11 deri rreth 14 vjeç. Nga Qendra për Punë Sociale kanë thënë për KALLXO.com se kanë intervistuar të dyshuarat dhe viktimën dhe kanë vizituar familjet e tyre.
“Ne e kemi kry intervistimin, edhe një ka mbet me u intervistu. QPS të gjitha veprimet e parapara i ka kry, i ka vizitu edhe familjet e tyne, edhe viktimën e ka vizitu, i ka dhonë edhe këshilla e udhëzime për trajtim shëndetësore e psiko-sociale. Ne ende jemi në fazën e hetimeve se ende nuk e kemi shkakun e vërtetë për çka ka ndodh. Veprimet që shihen në video janë shumë të vrazhda”- kanë thënë nga Qendra për Punë Sociale në Gjilan.
“Asnjë arsyetim nuk e japin, janë penduar, nuk e kanë ditur që po shkon deri në këtë masë”- vazhdon përgjigja e tyre.
Rasti i cili është inicuar si lëndim i lehtë trupor është duke u trajtuar nga Prokuroria në koordinim me Qendrën për Punë Sociale.