Vrasjet në Gjilan, një i arrestuar, babai me dy djemtë në kërkim

(Lajm i përditësuar)


Gjendja e personit të plagosur në Gjilan

Personi, i cili është plagosur sot në rastin e vrasjes së trefishtë në Gjilan, ndodhet për trajtim mjekësor në QKUK në kryeqytet.

Naser Syla nga QKUK-ja ka konfirmuar për kp se gjendja shëndetësore e personit të plagosur është e rëndë, por stabile.

“Në QKUK është sjellë një person i plagosur me armë zjarri nga spitali i Gjilanit. Gjendja e tij është e rëndë, por stabile për momentin. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe ai po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, ka thënë Syla.

Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një incidenti ku janë përdorur armë zjarri sot rreth orës 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan.

Një person është arrestuar në lidhje me rastin, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim Mefail Shkodra (53) dhe dy djemtë e tij – Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22).

Policia e Kosovës dhe njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.


Sveçla reagon për rastin në Gjilan, fajëson sistemin e drejtësisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas vrasjes së trefishtë në Gjilan, duke thënë se i dyshuari kryesor i vrasjes ka qenë i arrestuar vitin e kaluar për fajde, por “neglizhenca dhe tolerimi nga sistemi i drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot.”

Mefail Shkodra (53) dhe dy djemtë e tij Edonis Shkodra (25) dhe Engjull Shkodra (22) janë shpallur persona në kërkim nga Policia e Kosovës në lidhje me rastin, teksa është arrestuar një tjerët person, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur.

Në reagimin e tij, ministri në detyrë Xhelal Sveçla ka shprehur tronditjen e thellë dhe ka shprehur ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjet e viktimave.

Ai ka shprehur indinjatën e tij me prokurorinë dhe gjyqësorin për neglizhencë, pasi i dyshuari kryesor i rastit ishte arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës.

“Në këtë ngjarje të rëndë nuk mund të mos jem jashtëzakonisht i indinjuar me trajtimin që institucionet e drejtësisë, si Prokuroria e Gjyqësori, janë duke i bërë rasteve të tilla duke i lënë në liri. Sipas informacioneve, i dyshuari kryesor i vrasjes së sotme ka qenë i arrestuar vitin e kaluar nga Policia e Kosovës për fajde, ndërkaq neglizhenca dhe tolerimi nga ana e sistemit të drejtësisë po na sjellin në pikën ku jemi sot”, ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka theksuar se është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë e të mos ketë tolerim për asnjë kriminel e asnjë veprimtari kriminale.

“Qytetarët duhet ta kenë shtetin garant të sigurisë dhe jo të ndihen të frikësuar.”


Policia: Shkodra ka precedent penal me 31 raste, përfshirë fajde, kërcënim, shantazh e sulm

I dyshuari për vrasjet në Gjilan Mefail Shkodra ka precedent penal në total 3 raste.
Kështu njoftoi në një konferencë për media Drejtori rajonal i policisë në Gjilan, Agron Rukiqi.
Më tej ai tha se për veprën penale “sulm”, Mefail Shkodra, i ka pesë raste, për “prishje e rendit dhe qetësisë publike” dy raste”, për “fajde” tri raste, për “mashtrim” një rast, për “kërcënim” tri raste, për “shantazh” e ka një rast, për “detyrim” i ka dy raste, për “pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal” e ka një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion.

“Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”.

“Por, ju sigurojmë që Policia e Kosovës do t’i ndërmerr të gjitha veprimet që personat që janë në arrati të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar”, shtoi Rukiqi.
Po ashtu ai tha se Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra fillimisht janë larguar në këmbë, ndërsa në vend të ngjarjes është arrestuar një person i katërt.


Arrestohet një i dyshuar për vrasjet në Gjilan

Është arrestuar një person i dyshuar në lidhje me vrasjen e trefishtë në Gjilan. Identiteti i të njëjtit nuk është bërë i ditur.

Lajmin për portalin rtv21.tv e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale për Gjilan, Ismet Hashani.

Ndërkohë, në lidhje me rastin ku mbetën tre të vrarë dhe një tjetër i plagosur në rrugën “Ibrahim Rugova”, policia ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën (53) dhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodrën (25) dhe Engjull Shkodrën (22).


Vrasjet në Gjilan, policia shpall në kërkim edhe dy djemtë e të dyshuarit

Lidhur me vrasjen në Gjilan, Policia e Kosovës, përveç Mefail Shkodrës, ka shpallur në kërkim edhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjell Shkodra.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të të dyshuarve, lëshon këtë kërkesë për bashkëpunim me qytetarët dhe mediat”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Gjilan, kërkon nga qytetarët dhe mediat që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave në fotot e bashkëngjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës në stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, e-mail: info@kosovopolice.com, si dhe në numrat kujdestarë 038 504 504 7299 dhe 038 504 504 7201.Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, përfundon njoftimi.


Tre të vrarë në Gjilan, i dyshuari shpallet në kërkim

Ka vdekur edhe një person tjetër si pasojë e të shtënave me armë në mesditën e sotme në Gjilan, duke quar numrin e viktimave në tre.

Burime brenda Policisë për KALLXO.com, kanë treguar se personi i tretë nuk ka arritur që të iu mbijetojë plagëve që ka marrë dhe ka vdekur. Në Spital ka edhe persona të tjerë që janë duke u trajtuar, të cilët janë të plagosur e të lënduar.

Një nga të plagosurit është dërguar nga spitali i Gjilanit në QKUK. Drejtori Emergjencës Naser Syla, portalit rtv21.tv i tha se gjendja e tij është e rëndë por stabile. Ndërsa për momentin janë duke u kryer ekzaminimet.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha për rtv21.tv se fillimisht mjekët kishin konstatuar vdekjen e dy personave, e plagosjen e dy të tjerëve.

Të shtëna në Gjilan, dy të vrarë dhe dy të plagosur

Në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

I dyshuar për vrasjet është Mefail Shkodra. Policia e ka shpallur në kërkim për vrasjet, teksa ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij. Nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera për të, pos që është publikuar një fotografi.

V*asjet në Gjilan, Policia shpall në kërkim të dyshuarin, kërkon ndihmën e qytetarëve për ta kapur

Back to top button