Kaloni te përmbajtja kryesore

​Trump: Nëse takimi është i keq, thjesht do të shkoj në shtëpi

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu optimizëm të madh përpara samitit të nesërm me presidentin rus në Alaska, duke thënë se beson që Vladimir Putin po vjen gati për të bërë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Njoftimi i Trump vjen pavarësisht se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në fillim të kësaj jave minimizuan rëndësinë e takimit, duke e quajtur atë asgjë më shumë se një “ushtrim dëgjimi”.

“Unë besoj se ai tani është i bindur se do të bëjë një marrëveshje. Ai do të bëjë një marrëveshje. Mendoj se do ta bëjë. Dhe ne do ta zbulojmë – do ta di shumë shpejt”, tha Trump sot në “Brian Kilmeade Show” të Fox Radio.

Ai gjithashtu la të kuptohej mundësia e një takimi trepalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, por ai e bëri rezultatin e takimit me Putin një kusht kyç.

“Nëse është një takim i keq, nuk do të telefonoj askënd, do të shkoj në shtëpi… Por nëse është një takim i mirë, do të telefonoj presidentin Zelensky dhe udhëheqësit evropianë”, tha ai.

I pyetur nëse do t’i ofronte Rusisë stimuj ekonomikë, Trump mbeti i paqartë.

“Preferoj të mos e them, sepse nuk dua t’i zbuloj kartat e mia publikisht, por cilado qofshin kartat e mia, stimuj ekonomikë apo ndoshta dekurajim, ato do të luajnë një rol të rëndësishëm në negociata”, përfundoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk pritet të nënshkruhet asnjë dokument gjatë samitit në Alaska.

Edhe pse Peskov tha se do të ishte “gabim” të parashikohej rezultati i bisedimeve të nesërme, ai theksoi se nuk ka plane që Putin dhe Trump të formalizojnë ndonjë marrëveshje.

“Presidenti Putin dhe Presidenti Trump janë të gatshëm të flasin dhe do të diskutojnë çështjet më të vështira”, shtoi ai.

I dërguari kryesor ekonomik i Kremlinit, Kirill Dmitriyev, tha për CNN se takimi i nesërm është një mundësi për të rivendosur marrëdhëniet SHBA-Rusi “nëse takimi shkon mirë”.

“Mendoj se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se ky është një takim pozitiv për të gjithë botën”, tha Dmitriyev, duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me atë që Rusi pret nga takimi.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button