Një 21 vjeçare tenton të hidhet nga ballkoni në Ferizaj, shpëtohet nga policia

Një 21 vjeçare në Ferizaj mëngjesin e sotëm ka tentuar të hidhej nga ballkoni në një kompleks banesor.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se policia sot në Ferizaj rreth orës 04:30 ka pranuar këtë informacion nga qytetarët.

Ndër të tjera thuhet se 21 vjeçarja fillimisht është dërguar për trajtim në emergjencë ndërsa pastaj është transferuar në QKUK.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, patrullat policore kanë dalë në vendngjarje, ku fillimisht kanë kontaktuar me dëshmitarët dhe më pas kanë vërejtur vajzën në anën e jashtme të ballkonit. Policia ka tentuar ta qetësojë përmes komunikimit, ndërkohë që njëri prej policëve është ngjitur në banesën ku ndodhej ajo. Për shkak të urgjencës dhe rrezikut të lartë, polici është detyruar të hapë derën me forcë dhe ka ndërhyrë me shpejtësi në ballkon, duke arritur ta kapë dhe ta tërheqë viktimën brenda rrethojave, me ndihmën edhe të një kolegu tjetër.

Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i emergjencës, i cili i ka dhënë ndihmën e parë vajzës, e cila ndodhej në gjendje të rënduar psikike dhe emocionale. Ajo është shoqëruar nga policia dhe stafi mjekësor për trajtim të mëtejmë në emergjencë. Familjarët e saj janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes. Pas trajtimit fillestar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ajo është transferuar në Klinikën Universitare të QKUK-së në Prishtinë për kujdes dhe trajtim të mëtejmë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe apelon tek të gjithë që të raportojnë raste të ngjashme, në mënyrë që të parandalohen situatat tragjike. Për procedurat e tjera ligjore, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim. /21Media

Back to top button