Bëhen homazhe për “mbretin e xhaketës”

Stilisti pionier i modës Giorgio Armani është kujtuar si një “mik i vërtetë”, “një talent i jashtëzakonshëm” dhe “një vizionar” pas vdekjes së tij në moshën 91-vjeçare.
Stilistë, të famshëm, politikanë dhe artistë ishin mes atyre që i bënë homazhe, pasi Grupi Armani njoftoi vdekjen e tij të enjten.
“Bota humbi një gjigant sot. Ai bëri histori dhe do të mbahet mend përgjithmonë”, shkroi Donatella Versace në Instagram.
Redaktorja shumkohëshe e Vogue, Anna Wintour, reflektoi mbi ndikimin e gjerë të Armanit: “Për të, moda nuk ishte vetëm një gjë: ajo ishte edhe film, muzikë, sport, art, dizajn dhe arkitekturë, dhe ai la gjurmë në të gjitha këto botë”.
Stilisti Valentino Garavani e përshkroi Armanin si “një mik, kurrë një rival … Mundem vetëm të përulem para talentit të tij të madh”.
Ralph Lauren e quajti atë “një stilist që kurrë nuk u largua nga vizioni i tij … një njeri që i donte familjen dhe miqtë e tij, dhe atdheun e tij në një mënyrë kaq të veçantë”.
Miuccia Prada dhe Patrizio Bertelli nga grupi Prada thanë se Armani ishte “një Maestro i njohur për elegancën dhe kreativitetin e tij, dhe një protagonist i padiskutueshëm i modës italiane dhe ndërkombëtare”.
Julia Roberts, e cila me kostumin gri të hapur oversize të Armanit, të kombinuar me një këmishë të bardhë dhe kravatë, krijoi një nga paraqitjet më të paharrueshme në Golden Globes, shkroi në rrjetet sociale se Armani ishte “Një mik i vërtetë. Një legjendë”, duke shtuar një emoji zemre të thyer.
Në një seri postimesh në X, Russell Crowe tregoi se si humbja e bagazheve rrugës për në festivalin e Kanës në vitin 1997 e çoi drejt zbulimit të stilistit. “E adhuroja. Ishte aq i sjellshëm. Ka shumë momente të rëndësishme në jetën time — çmime, dasmë, Wimbledon … të gjitha me Armani. Çfarë jete pati, nga fillimet e tij deri te lavdia”.
Jessica Chastain ndau një kujtim se si u takua me bashkëshortin e saj në një shfaqje të Armanit në Paris, ndërsa Leonardo DiCaprio e përshkroi Armanin si “një vizionar, ndikimi i të cilit shkoi shumë përtej dizajnit”.
Cate Blanchett tha: “Njeriu privat lë pas një boshllëk të pamundur për t’u mbushur”.
Victoria Beckham shkroi në Instagram: “Bota e modës humbi një legjendë të vërtetë tek Giorgio Armani – një stilist vizionar trashëgimia e të cilit do të jetojë përgjithmonë. Ndihem e nderuar që e kam quajtur mik”.
Martin Scorsese, i cili drejtoi dokumentarin e vitit 1990 Made in Milan, që ofronte një vështrim prapa skenës mbi stilistin, tha se Armani “ishte një artist i vërtetë, dhe një i madh – njerëzit shpesh përdorin termin ‘i përjetshëm’, por në rastin e tij kjo është e vërtetë”.
Michelle Pfeiffer tha se ishte “e thyer zemre” kur mori vesh lajmin për ndarjen nga jeta të stilistit. Piloti i Formula 1, Charles Leclerc, i cili ka marrë pjesë në një fushatë të Armanit, tha se ishte “një nder i madh të kisha pasur mundësinë ta takoja dhe të punoja me një person kaq të jashtëzakonshëm”.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e lavdëroi Armanin si “një ikonë, një punëtor të palodhur, një simbol të më të mirës që përfaqëson Italia”.
I njohur si “mbreti i xhaketës”, Armani ishte pionier i “soft power dressing” dhe revolucionarizoi modën e tapetit të kuq, shkruan The Guardian. Ai veshi yje nga Diane Keaton dhe Jodie Foster te Julia Roberts dhe Richard Gere, dhe krijimet e tij u bënë sinonim i elegancës në skenat e Academy Awards dhe Golden Globes.
Cindy Crawford, Diane Kruger, Morgan Freeman dhe Samuel L. Jackson ishin ndër të tjerët që i bënë homazhe.