OVL-UÇK për protestën në Hagë: Mesazhi ishte i qartë

(Lajm i përditësuar)


Jashari: Nga Drenica në Hagë, kërkesa jonë është e thjeshtë, e vërteta dhe drejtësia

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, sot ka qenë në protestën që u organizua në Hagë.

Ajo në rrjetin social Facebook ka publikuar një fotografi ku shihet me rroba të UÇK-së ndërsa bën dhe shqiponjën.

Jashari ka shkruar se kërkesa e protestuesve ishte e vërteta dhe drejtësia.

“Nga Drenica në Hagë – kërkesa jonë është e thjeshtë: e vërteta dhe drejtësia.”, ka shkruar ajo.


Selimi: Protesta ishte e domosdoshme dhe në vendin e duhur

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti Selimi, ka dalur në përkrahje të protestës së sotme në Hagë ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së atje.

Ajo ka thënë se protesta ishte e domosdoshme dhe në vendin e duhur.

Selimi ka shprehur mirënjohjen për protestuesit që sot u bënë bashkë për të kërkuar drejtësi.

“Protestë e domosdoshme dhe në vendin e duhur! Shpreh mirënjohjen time dhe i falënderoj të gjithë qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota që u bashkuan në Hagë, për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po ndodhin në Hagë”, ka shkruar Selimi në Facebook.


OVL-UÇK falënderon qytetarët që morën pjesë në protestë në Hagë: Mesazhi ishte i qartë, jo në emrin tim

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka falënderuar pjesëmarrësit në protestën e sotme në Hagë, ku u kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim.

OVL-UÇK tha se mesazhi që doli nga protesta e sotme ishte “i qartë”.

“Falënderim i veçantë për mërgimtarët, luftëtarët, qytetarët dhe mediat që morën pjesë në protestën e sotme të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Mesazhi ynë i përbashkët ishte i qartë: Jo në emrin tim!”, thuhet në një postim të OVL-UÇK-së në Facebook.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, tha në protestë se “bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha”.

“U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, tha ai.


Protestuesit rigrupohen para Gjykatës Speciale

Protesta e planifikuar fillimisht pranë muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale në Hagë, ka përfunduar, por protestuesit janë rigrupuar sërish para ndërtesës ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ekipi i RTV21 nga Haga raporton se protestuesit nuk u lejuan nga Policia t’i vendosin pankartat para Gjykatës Speciale.

Autoritetet holandeze kanë shtuar praninë e forcave të sigurisë kështu duke shpërndarë protestuesit.

Protestuesit kanë brohoritur emrat e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre dhe drejtësi për sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës./21Media


Përfundon protesta në Hagë, u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Ka përfunduar protesta kundrejt pakënaqësive në gjykimin special në Hagë, ku pjesëmarrës ishin qindra mijëra shqiptarë nga anë e kënd bota.

Në këtë protestë paqësore u bë thirrje që të ndalen padrejtësitë në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarëve të tjerë


Ish-ambasadori holandez: I kam thënë Thaçit do të lirohesh, s’ka prova

Ish-ambasadori holandez në Kosovë Robert Bosch, i është drejtuar pjesëmarrësve në protestën kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Bosch kujtoi kohën kur shërbeu në Kosovë, pikërisht edhe kur u formua Gjykata Speciale.

Ai foli rreth një bisede që pati asokohe me ish-kryeministrin Hashim Thaçi.

Bosch i kujtohet t’i ketë thënë Thaçit se nuk duhet të jetë i shqetësuar.

“Sepse unë i thashë se nëse do të jetë një gjykatë e drejtë t’i do të lirohesh, për shkak se nuk ka prova”, deklaroi Bosch para protestuesve.


Gucati nga Haga: Evropa të mos lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se po flasin për drejtësinë që i është mohuar luftës së shenjtë të UÇK-së.

Ka deklaruar se liria nuk erdhi si dhuratë, por si rezultat i sakrificës dhe gjakut të vajzave dhe djemve të rinj.

Gucati ka thënë se Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik.

“Bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha. U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, ka thënë ai.


Koci: Sot ngrisim zërin kundër padrejtësive, mjaft më

Ish-pjesëtari i UÇK-së, dhe bashkorganizator i protestës në Hagë, Fatmir Koci në fjalën e tij tha se qindra mijëra shqiptarë janë mbledhur për të ngritur zërin e tyre ndaj padrejtësive.

Sipas tij, gjykimi në Gjykatën Speciale është i padrejtë dhe i pafalshëm, derisa shton se një gjë e tillë po shkatërron jetën e njerëzve që sakrifikuan gjithçka për liri.

“Sot jemi mbledhur për të ngritur zërin tonë, për të thënë mjaft më me padrejtësi. Po ju pyes para të gjithë Evropës, para gjithë botës, a ishim ne agresori? A e sulmuam ne në tokën e vet? Apo luftuan në shtëpitë tona? A kërkuam territore? Apo kërkuam liri?”, shtroi pyetjet Koci.

Ai thotë se njerëzit e Kosovës nuk ishin agresori, por populli që luftoi për liri.


Nis protesta në Hagë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Ashtu siç është paralajmëruar në orën 14:00 ka nisur protesta në Hagë me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetror.

Mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora shqiptare janë mbledhur atje për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Fjalime do të mbajnë: Hysni Gucati nga OVL e UÇK-së, Robert Bosch ish-ambasador i Holanës në Kosovë, Fatmir Koci organizator i protestës dhe Flaka Fazliu vajzë dëshmori./21Media


Me pankarta në duar protestuesit kërkojnë lirimin e ish-eprorëve të UÇK-së

“Drejtësia nuk njeh vonesa”, “Gjyqi tani! Jo më pritje pafund”, “Liria ka emër”, janë disa nga pankartat që po mbajnë në duar protestuesit shqiptarë në Hagë. Shumë të tjera porosi janë në gjuhën angleze, në të cilat po bëhet thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Me mijëra shqiptarë nga e gjithë bota kanë filluar të mblidhen në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale ku është caktuar lokacioni për mbajtjen e protestës.


Numër i madh i protestuesve në Hagë, thërrasin njëzëri “UÇK”

Shqiptarë nga e gjithë bota po bëhen bashkë për të protestuar sot në Hagë. Nga pamjet që ka dërguar ekipi i RTV21 shihen sheshet dhe rrugët plotë me njerëz dhe vetura duke u mbledhur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Nga pamjet që ka dërguar ekipi i RTV21 i cila po përcjell protestën atje, shihet një numër madh i protestuesve në parkun afër muzeut Madurodam në Hagë, që thërrasin njëzëri “UÇK”.

Me flamujt kuq e zi dhe të UÇK-së, pankarta dhe këngë patriotike, protestuesit po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Fjalime do të mbajnë: Hysni Gucati-OVL e UÇK-së, Robert Bosh ish-ambasador i Holanës në Kosovë,  Fatmir Koci organizator i protestës.

Aty shihen edhe forca të shtuara të sigurisë të autoriteteve holandeze, ku po ashtu janë vendosur edhe bllokada nëpër rrugët ku do të kalojnë protestuesit.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by RTV21 Official (@rtv21)

 


Qindra protestues arrijnë në vendin ku do të mbahet protesta në Hagë

Qindra protestues tanimë janë mbledhur në vendin e caktuar ku do të zhvillohet protesta në Hagë në mbështetje të të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Në një video të siguruar nga KosovaPress, shihen më shumë se 500 protestues, të cilët janë mbledhur për më shumë se dy orë para nisjes së protestës.

Ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës kanë nis të mblidhen në Hagë, në protestën e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Protesta pritet të nis në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta është paralajmëruar të jetë masive për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.


Shqiptarët nisin të mblidhen për protestën në Hagë

Ish-veteranë dhe qytetarë nga shumë vende të botës kanë nis të mblidhen në Hagë, në protestën e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Protesta pritet të nis në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj. Protesta është paralajmëruar të jetë madhështore për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve nga vende të ndryshme të botës.

Protestuesit që janë ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë përgatitur pankartat përmes së cilave do të përcjellin mesazhet e tyre. Të gjitha mesazhet do të jenë në gjuhën angleze pasi që ato janë të dedikuara për Gjykatën Speciale që është më staf tërësisht ndërkombëtar, dhe Bashkimin Evropian si financues i këtij institucioni.

Disa autobusë janë nisur edhe nga Kosova.

Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

Në sallën e gjyqit nesër, më 15 shtator në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaci pritet të paraqitet James Rubin, amerikani i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit. Pas tij do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që janë figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Fillimisht do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, e më pas të Jakup Krasniqit.

Ajo çka pritet janë rreth 11 dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit më sallën e gjyqit, dhe dy të tjerë të Krasniqit dhe dëshmitë e tyre synohet të jepen në seanca të hapura.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Hashim Thacin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, ZPS-ja i ngarkon me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës dhe ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Kujtojmë se aktakuza ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, ishte konfirmuar vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Ky proces që konsiderohet i tejzgjatur tashmë duket se është drejt fundit dhe ka hyrë në fazën më të rëndësishme të tij. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.


Deliu niset drejt Hagës me të birin: Me zemrën për UÇK-në

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike, Blerta Deliu është nisur drejt qytetit të tretë më të madh të Holandë, Hagës.

E shoqëruar nga djali i saj, Deliu ka publikuar një fotografi nga aeroplani, ku shkruan: “Bashkë me Jonin për Hagën, me zemrën për UÇK-në”.

Ndryshe, protesta kundër Gjykatës Speciale pritet të nis me fillim nga ora 14:00.


Musliu drejt Hagës: Kërkojmë drejtësi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është nisur për në Hagë.

Atje, ajo do të marrë pjesë në protestën e organizuar nga mërgata, në përkrahje të luftëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

Musliu ndër të tjera, në faqen e saj zyrtare në Facebook ka shkruar se atje do të kërkojnë drejtësi.

“Drejtë Hagës, për të kërkuar drejtësi”, ka shkruar shkurt ajo.


Sot protestohet në Hagë në kundërshtim të Gjykatës Speciale

Sot me fillim nga ora 14:00 do të mbahet protestë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Bashkëluftëtarët dhe mërgimtarët nga diaspora, por edhe shqiptarët si nga Kosova, ashtu edhe nga trojet tjera shqiptare, veçse kanë mbërritur në Hagë, për të marrë pjesë në protestë.

Në kohën kur pritet të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë, shqiptarët nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të japin mesazhin e tyre për këtë proces.

Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.

Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nisë paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse.

RTV21 do ta përcjell drejtpërdrejt nga Haga protestën e sotme.

Back to top button