​Protesta në Hagë, bashkatdhetarët e quajnë Specialen “Gjykatë kriminele”

Sot, rreth 10 mijë qytetarë shqiptarë nga e gjitha bota janë mbledhur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale për të protestuar në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Ata kanë kërkuar drejtësi dhe disa prej tyre Gjykatën Speciale e kanë quajtur “Gjykatë kriminale”.

Një bashkatdhetarë nga fshati Reçak, Ahmet Bilalli, i cili mori pjesë në këtë protestë, shprehet i indinjuar ndaj Gjykatës Speciale për siç tha ai për akuzat e padrejta ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Ai, proceset në Gjykatën Speciale në këto pesë vjet, i ka quajtur qesharake dhe banale për bashkësinë ndërkombëtare.

“Jemi ardhur me mbrojt dritësinë. Vij prej një fshati të Kosovës, kur dihet çfarë gjenocidi është bërë (nga forcat serbe) aty në sytë e krejt botës dhe deri më sot asnjë nuk është I akuzuar apo i dënuar. Ndërsa, i marrin çlirimtarët tanë e i akuzojnë padrejtësisht. Jemi ardhur e do të vijmë deri në pikën e fundit për lirimin e presidentit, kryeparlamentarëve dhe Rexhep Selimit, dhe për ata që janë dënuar padrejtësisht… Janë qesharake dhe banale për bashkësinë ndërkombëtare për ata gjykim të padrejtë”, theksoi Bilalli.

Edhe Fexhri Jasipi nga Tetova i cili jeton në Danimarkë tha se sot po protestojnë për padrejtësinë që bënë Gjykata Speciale ndaj krerëve të UÇK-së dhe gjithë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne kemi ardhur këtu të protestojmë për padrejtësinë që bënë Gjykata Speciale edhe ndaj krerëve të UÇK-së dhe gjithë ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që kjo e ka quajtur UÇK-në ndërmarrje kriminale. Kurse të bashkëpunosh me Serbinë, siç bashkëpunon Gjykata Speciale me kriminelet e luftës, të cilët kanë dhunuar, masakruar fëmijë. Kështu Gjykata Speciale për mua është Gjykata kriminele”, tha ai.

Edhe një mërgimtar qytetar tjetër nga Gjermania i cili mori pjesë në protestën e sotme në Hagë, tha se në mënyrë paqësore po kërkojnë drejtësi nga Gjykata Speciale për çlirimtarët.

“Kemi dalë me protestua në mënyrë paqësore, por kjo padrejtësi cka po bëhet në Gjyjatën Speciale, kjo nuk është më me u tolerua”.

Kjo protestë vjen një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës, të gjithë këta janë deklaruar të pafajshëm.

Back to top button