Dogana i’a ndalon Mozzikut orët mbi 1.3 milion

Reperi i njohur nga Kosova Gramoz Aliu (Mozzik), është ndaluar dhe intervistuar ditën e sotme nën dyshimet për shmangie nga obligimet doganore.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar Dogana e Kosovës përmes një njoftimi ku ka bërë të ditur se pas raportimeve ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe kontrollin e siç thuhet, një personi të dyshuar me rastin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Nga Dogana thuhet se Mozzik-ut i janë zbuluar dy orë në vlerë prej mbi 1.3 milionë euro.
“Si rezultat i këtij kontrolli në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, njësitet doganore kanë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze (një Richard Mille dhe një Rolex), të cilat nuk janë deklaruar nga udhëtari gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Vlera totale e këtyre orëve është 1.340.027,50 € (një milion e treqind e dyzet mijë e njëzeteshtatë euro e pesëdhjetë cent)”, thuhet në njoftim.
Sipas Doganës shmangia doganore ishte mbi 5 mijë euro, prandaj është njoftuar edhe Prokuroria.
“Duke qenë se shmangia nga obligimet doganore kapte shumën mbi 5.000 euro, konform legjislacionit në fuqi është njoftuar Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Me këtë rast, në përputhje me kompetencat që dalin nga Kodi Doganor dhe i Akcizave, është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i mallrave dhe intervistimi i personit të dyshuar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kurse referuar këtij njoftimi të Doganës më 17 shtator 2025 (sot), i dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy orët thuhet se mbeten të ndaluara deri në një vendim të mëtejmë të Prokurorisë.
Kurse gjatë ditës së sotme, artisti Mozzik i ka quajtuar të pavërteta lajmet për arrestim dhe borxhe, duke i cilësuar si “rrena dhe shpifje”.
“Ju uroj suksese të gjithëve dhe shpresoj të flini të qetë sonte. Ju dua edhe juve që po shkruani keq”, përfundoi Mozzik reagimin e tij.
“Rrena dhe shpifje”, Mozzik reagoi pas raportimeve se ai është arrestuar
Avokati, Arianit Koci mbrëmjen e së martës ka reaguar për këtë rast, duke thënë mohuar se ai nuk është arrestuar.
Reagimi i avokatit është bërë publik përmes një postimi në Facebook, i cili më pas është shpërndarë edhe në Instagramin zyrtar të Mozzik, duke i dhënë fund spekulimeve për situatën ligjore të artistit. /21Media