Kosova në qendër të basketbollit evropian

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) do të organizojë dy nga ngjarjet më prestigjioze të basketbollit evropian, duke e vendosur Kosovën në një skenë të lartë ndërkombëtare jo vetëm sportive, por edhe diplomatike.
Për herë të parë, në bashkëpunim me FIBA Evropën, FBK do të jetë nikoqire e FIBA Europe U14 Get-Together dhe e takimit të Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës (FIBA Europe Youth Commission).
Sipas njoftimit të FBK-së, ngjarjet do të mbahen në Prishtinë, më 17-19 tetor 2025.
“FIBA Europe U14 Get-Together zhvillohet përgjatë tri ditëve, ndërsa më 17 tetor mbahet edhe takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës. FIBA Europe U14 Get-Together – Investim në gjeneratat e reja. Kjo ngjarje përvitshme e FIBA Evropës organizohet çdo vit në një shtet të ndryshëm, me synim edukimin e trajnerëve të rinj dhe fuqizimin e gjeneratave të ardhshme të basketbollistëve. Në Prishtinë do të mirëpriten rreth 80 trajnerë nga i gjithë kontinenti, të cilët do të ndjekin ligjërata nga figura të njohura dhe të specializuara të basketbollit evropian”.
Takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës – Diplomaci sportive në veprim
Kosova do të bëhet qendra ku mblidhen drejtuesit më të lartë të basketbollit evropian – kryetarë dhe sekretarë të federatave kombëtare nga gjithë kontinenti.
FBK ka nderin të mirëpresë Zorge Garbajosa, Kryetar i FIBA Evropës dhe udhëheqës i Komisionit, Kamil Novak, drejtor ekzekutiv i FIBA Evropës, si dhe shumë drejtues të tjerë të federatave evropiane.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, i cili është edhe nënkryetar i këtij komisioni, do të jetë nikoqir i takimit, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet në këtë forum të lartë ndërkombëtar.
“Ky organizim është shumë më tepër sesa një aktivitet sportiv. Është një mesazh i fuqishëm se Kosova është pjesë aktive e familjes evropiane të basketbollit dhe se sporti ynë po bëhet një urë e rëndësishme diplomatike me botën. Përmes këtyre ngjarjeve, jo vetëm që fuqizojmë trajnerët dhe të rinjtë tanë, por edhe forcojmë imazhin e Kosovës si vend mikpritës dhe partner i denjë në arenën ndërkombëtare.”, tha sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.
Rëndësia për Kosovën
Organizimi i këtyre dy ngjarjeve të rëndësishme është dëshmi e qartë e përkushtimit të FBK-së për ta ngritur basketbollin kosovar në një nivel të ri dhe për ta përdorur sportin si një platformë të fuqishme të diplomacisë dhe integrimit ndërkombëtar.
Kosova, përmes FBK-së, po tregon se është gati të jetë nikoqire e ngjarjeve të mëdha dhe një faktor i respektuar në basketbollin evropian.