Polica jep detaje për aksionin e sotëm në 25 lokacione, u mbështet nga Europoli

(Lajm i përditësuar)
Polica jep detaje për aksionin e sotëm në 25 lokacione, u mbështet Europoli
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me operacionin që ka zhvilluar sot.
Sipas njoftimit ky operacion është bërë me urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
“Ky aksion, i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, është realizuar në 25 lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike; 11,065 euro para të gatshme; 34 automjete; Shtatë (7) armë zjarri; Dokumente personale me identitet të rremë; Pajisje elektronike; Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

“Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cenojnë ligjin dhe rendin.”, thuhet në njoftim.
Dyshime për përfshirje në vepra kriminale, policia po zhvillon dy operacione
Policia e Kosovës me njesitë e saja relevante, me autorizim të prokurorisë kompetente është duke i realizuar dy operacione policore, të cilat përfshijnë disa lokacione në dy rajone të ndara.
Këtë për portalin rtv21. tv e konfirmoi Policia e Kosovës
“Operacionet policore janë duke u realizuar mbi dyshimet për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale të personave të dyshuar.Pas përfundimit dhe kompletimit të veprimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë mund të bëhen publike informacione shtesë.”, thuhet në përgjigjen e policisë./21Media