Aliu: Gara e motocros-it po hyn në kalendarin e rregullt në Kosovë

Në nderim të 27 vjetorit të rënies së dëshmorit Xhemshir Xhemshiri, Komuna e Shtimes së bashku me Federatën e Motoçiklizmit të Kosovës dhe motocross “Vjosa”, ka organizuar garën e tretë në motocross në Mallopollc të Shtimes.

Pjesëmarrës ishin mbi 65 garues, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, me sfida e çmime të ndryshme.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu duke përkujtuar Xhemshirin, tha se është mirënjohës që kjo garë po mbahet në Shtime.

“Në nderim të rënies së dëshmorit të kombit Xhemir Xhemshiri që pikërisht sot ka 27 vjetorin e rënies në altarin e lirisë. Kjo është gara e parë për këtë vit që po mbahet në Kosovë, ndërsa e treta që po mbahet në Shtime. Jam mirënjohës që pasionin e motoçiklizmit po e bëjnë në kalendar të rregullt të Kosovës, pra në Shtime. Jam i kënaqur për organizimet që kanë ndodhur vitet e fundit”, tha Aliu.

Organizatori i kësaj gare, Halit Rexhaj nënvizoi sfidat e kësaj gare dhe çmimin e fituesve.

“Kjo është gara e tretë tradicionale që mbahet në Komunën e Shtimes. Pjesëmarrës çdoherë janë shumë, këtë vit janë mbi 65 garues prej trojeve shqiptare, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë.. Çmimet për fitues janë tre kategori. Për çdo fitues për tre vende ka çmime pancira, të holla për t’i motivuar, goma, zinxhirë. Kategoria profi ka sfida goxha shumë, janë 15 garues, po besoj që gjashtë dalin për ta fituar garën”, tha Rexhaj.

E kryetari i Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, Nuhi Llugaxhiu u uroj garuesve sukses gjatë garës.

“Uroj që të triumfojë më i miri, të mos ketë lëndime dhe të shkoj mbarë e mirë”, shtoi ai.

Back to top button